Tension te Holanda para supersfidës me Turqinë, Van Gal kapet me gazetarin në konferencë

Holanda do të luajë sot një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtyre eliminatoreve.

Portokallinjtë do të presin Turqinë që kryeson Grupin G me një pikë më shumë se skuadra e Luis van Galit.

Një fitore do të thoshte parakalim në renditje nga ana e “Tulipanëve” dhe një hap më shumë drejt kualifikimit direkt për në “Katar 2022”.

Në dy ndeshjet e fundit, Van Gal dhe skuadra e tij kanë marrë 4 pikë, duke barazuar me Norvegjinë dhe fituar thellë ndaj Malit të Zi.

Trajneri 70-vjeçar pati dje një konferencë të tensionuar, teksa u vu në shënjestër për një futboll difensiv.

“Kjo më Turqinë është ndeshje që duhet fituar dhe kaq. Nuk ka rëndësi se si luajmë, për mua kanë rëndësi tri pikët. Në këtë mënyrë do të kryesonim grupin dhe do të jemi më të qetë. Djemtë kanë bërë një punë të shkëlqyer gjatë javës dhe kanë treguar seriozitet. Shpresoj që të shoh një skuadër dominuese ndaj Turqisë, pasi besoj se një fitore do të ishte shtysa e duhur drejt Botërorit”, bëri hyrjen e tij trajneri i Holandës.

Ndërkohë, duke hyrë më në analizë të lojës së Van Galit, një gazetar e akuzoi se ideja e futbollit të tij ishte difensiv.

“Shiko skuadrat e tjera”, ishte përgjigjja e trajnerit. “Shiko Italinë, ata u shpallën kampionë Europe duke barazuar dy ndeshjet e fundit.

Ti zotëri ndoshta ke një vizion fantastik për të tërhequr vëmendje dhe e bën mirë punën për gazetën, por më fal, nga futbolli kupton zero. Nuk është e lehtë të mësosh futboll mbrojtës, por edhe ashtu fitohet. Shumë skuadra kanë fituar duke luajtur 5-2-3 dhe 5-3- 2. Madje, nëse ka një person që duhet falënderuar ai është Tomas Tuchel, i cili i tregoi Europës dhe botës sesi fitohet Champions-i edhe me 5-3-2.

Mos t’u duk gjë futboll mbrojtës ai i Çelsit ty në sezonin e kaluar? Zotëri, bën mirë të kuptosh e dëgjosh më shumë dhe vetëm pastaj ndoshta do të gjykosh me saktësi”, iu drejtua trajneri holandez gazetarit anglez, i cili ndodhej në sallën e konferencës.


Shtuar 7.09.2021 11:38