Shtohen zërat për kalimin e Strakoshës në Angli, “The Times” konfirmon negociatat

Shtohen gjithmonë e më shumë zërat për transferimin e portierit Thomas Strakosha në Premier League, konkretisht te skuadra e Newcastle. Një javë më parë ishte tabloidi “the Sun” që raportoi i pari një negociatë të nisur mes palëve, ndërsa sot ka qenë radha e “The Times” që të sjellë të tjera konfirmime.

Gardiani shqiptar ka kontratë deri në fund të sezonit me Lazion dhe ka refuzuar rinovimin, pasi dëshiron të vendosë vetë për të ardhmen e tij dhe pikërisht për këtë arsye është lënë në pankinë nga klubi italian.

Megjithatë Newcastle është në kërkim të një portieri dhe ka nisur punën për të marrë Strakoshën që në janar, duke treguar edhe gatishmërinë që të paguajë një shifër simbolike për kartonin e tij te Lazio.

Vetë portieri, i pyetur nga Supersport pas ndeshjes me Andorrën, për një mundësi transferimi në Premier League, zbuloi se kjo është një çështje që i përket agjentit të tij dhe se ai vijon të jetë i përqendruar te Lazio.

Megjithatë “ku ka zë, nuk është pa gjë” dhe sigurisht edhe në rastin e Strakoshës, ekzistojnë negociatat për kalimin në Premier League, një kampionat ku portieri kuqezi mund të fitojë shumë më tepër, si në aspektin sportiv, ashtu edhe atë ekonomik.


Shtuar 18.11.2021 17:39