Shansi i fundit për “brezin e artë”, Belgjika nis sot rrugëtimin e saj në “Katar 2022” përballë Kanadasë

Nga Isildo Musta

Ditën e sotme, Belgjika, vendi i 3-të i Botërorit “Rusi 2018” do të përballet me Kanadanë, në një përballje e cila do të zhvillohet në orën 20:00, në stadiumin “Ahmad Bin Ali”.

“Djajtë” paraqiten për herë të 14-të në Kupën e Botës, shifër kjo mbresëlënse duke llogaritur dhe nivelin e ekipeve pjesëmarrëse në Botëroret e mëparshme. Me një grup lojtarësh jo shumë të ndryshuar nga Botërori i fundit, “brezi i artë” i Belgjikës do të kenë shancin e tyre të fundit, për të prekur trofeun më prestigjoz të këtij sporti.

Të udhëhequr nga tekniku Roberto Martinez në stol dhe kapiteni Kevin De Bruyne në fushën e blertë, Belgjika shihet si një ndër 7 pretendentët kryesorë për fitimin e këtij turneu së bashku me Francën, Anglinë, Argjentinën, Brazilin, Gjermaninë dhe Portugalinë.

Ndaj një ekipi të “lehtë” në letër, “djajtë” pritet të rreshtohen me formacionin 3-4-2-1, ku mes shtyllave të portës do të qendrojë Thibaut Courtois. Mbrojtja me 3 do të jetë e përbërë nga dy veteranët Vertonghen dhe Alderweireld, si dhe një nga talentët më të mëdhenj të mbrojtjes belge, 18-vjeçari Zeno Debast, i cili me paraqitjet e tij me Anderlechtin ka arritur të fitojë besimin e teknikut Martinez. Rreshtimi vazhdon me Carrasco, Witsel, Tielemans dhe Meunier në mesfushë respektivisht nga e majta në të djathë të fushës. Qershia mbi tortë do të jetë sulmi ku De Bruyne dhe Eden Hazard do të mbështesin Mitchy Batshuayin të vetëm në sulm.

Në krahun tjetër, Kanadaja rikthehet pas 36-vitesh, për herë të dytë në historinë e saj, në një Kupë Bote (për herë të parë në vitin 1986), duke shpresuar që këtë herë të shënojnë dhe golin e parë në një Kampionat Botëror të futbollit dhe gjasat pritet të jenë të tilla, me një sulm eksplosiv, lojtarë të cilët luajnë të gjithë në rolin e titullrit në ekipet respektive.

Edhe pse është gjysmë i dëmtuar, tekniku Priestman i mban të gjitha shpresat e tij te Alphonso Davies, lojtari shpërthyes i krahut të majtë, i cili mban një rol kyç mbi shpatulla në formimin e lojës së Kanadasë, siç është dhe “furnizimi” me pasime të sakta i sulmuesit 21-vjeçar të Lille, Jonathan David. Bashkëpunimi mes tyre pritet të vendosi në rrezik mbrojtjen gjysmë të plakur belgë, të cilët duhet të tregohen shumë vigjilentë në krahun e majtë.

Kanadezët pritet të rreshtohen me formacionin 3-4-3, ku në portë do të vendoset Borjan me Johnston, Vitoria dhe Miller do të jenë “gardianët” e mbrojtjes kanadeze. Në mesfushë do të rreshtohen Laryea, Eustaquio, Hutchinson dhe Adekugbe, ndërsa sulmi do të përbëhet nga Buchanan, Larin dhe David, me Alphonso Davies për të cilin akoma nuk është vendosur nëse do ta bëjë debutimin e tij, në Kupën e Botës, që ndeshjen e sotme.

Ndërkaq, Belgjika dhe Kanadaja ndodhen në grupin F, së bashku me Kroacin dhe Marokun përballje e cila përfundoi e pazhbllokuar në shifrat 0-0.


Shtuar 23.11.2022 13:16