Sebastian Haller, “bomberi” i Europës që nuk ndalet së shënuari

Sebastien Haller e ka nisur me këmbë të mbarë edicionin 2021/22 të Ligës së Kampionëve në sezonin e tij debutues në turneun më të mirë të klubeve evropiane për Ajax-in.

Në moshën 27-vjeçare, ish-lojtari i West Ham është vendosur si një nga sulmuesit më të mirë në Evropë këtë sezon, pasi asnjë lojtar nuk ka arritur të shënojë aq herë sa ka shënuar në Champions League.

Haller është aktualisht golashënuesi më i mirë i turneut me 11 gola, përpara Robert Lewandowski (9) dhe Mohamed Salah (8).

11 golat në shtatë ndeshjet e tij të para në Ligën e Kampionëve e kanë ndihmuar atë të bëhet lojtari me fillimin më të mirë në kompeticion. Për ta vënë atë në perspektivë, Erling Haaland-it iu deshën nëntë ndeshje për të arritur të njëjtin rezultat.

Haller ka arritur të shënojë emrin e tij në listën e golave në të gjitha ndeshjet e Ligës së Kampionëve që ka luajtur, duke shënuar në shtëpi dhe jashtë kundër Sporting CP, Borussia Dortmund dhe Besiktas, si dhe jashtë saj te Benfica.

Vetëm Cristiano Ronaldo kishte festuar të paktën një gol në secilën nga gjashtë ndeshjet e tij në fazën e grupeve në 2017/18 me Real Madridin. Ylli portugez shënoi në 11 ndeshje radhazi midis 2017 dhe 2018.

Haller është edhe golashënuesi më i mirë i ligës holandeze, ku ka arritur të shënojë 16 herë. Në total, ai ka mesatarisht një gol për ndeshje, pasi ka shënuar 29 gola në 29 ndeshje.

“Ai na jep shumë dhe jo vetëm fizikisht”, theksoi tekniku i Ajax-it, Ten Hag, i cili e stërviti në Utrecht (51 gola në 98 ndeshje) dhe e ktheu në ligën holandeze.

Me një gjatësi prej 1.90 m, produkti i akademisë së Auxerre u transferua në Utrecht dhe më pas në Eintracht Frankfurt përpara se të bashkohej me West Ham, ku shënoi 14 herë në një vit e gjysmë. Ai nënshkroi për Ajax në 21 janar dhe ka shënuar 42 gola në 52 ndeshje për skuadrën e Ajax.

“Ende nuk mund ta besoj”, tha ai pas debutimit të tij në Champions League kundër Sporting CP.

“Është një ëndërr, nuk mund të prisja më. Jam munduar të mos emocionohem shumë sepse gjithmonë kam pritur të luaja këto lloj ndeshjesh.”

Sipas “Transfermarkt”, çmimi i Hallerit është vendosur në 30 milion euro. Ajax pagoi 25 milion euro për nënshkrimin e tij nga West Ham në vitin 2021 dhe ai pritet të jetë më shumë se 45 milion euro në verë.

“Mund të them vetëm se nënshkrimi me të do të ishte shumë i shtrenjtë,” tha Ten Hag./ h.ll/albeu.com


Shtuar 25.02.2022 10:12