Kryeministri Edi Rama komentoi hetimet e SPAK-ut dhe akuzat ndaj zyrtarëve të Partisë Socialiste, duke u ndalur edhe te rasti i ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.
Gjatë një interviste me gazetaren Rudina Xhunga në podcastin e Kryeministrit, “Flasim”, Rama tha se investimi i tij kishte qenë te një “maskë karnavalesh” dhe jo te një aset publik që meritonte besim.
Të lidhura
None found
“Në rastin që përmendet, unë kisha investuar në një maskë karnavalesh, jo në një aset publik për t’u besuar. Nëse rezulton se burimi njerëzor ku ke investuar është i ndotur dhe personi që ke vlerësuar ka qenë vetëm një maskë karnavalesh, atëherë është e dhimbshme, por ky është fakt”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se deri tani nuk kishte parë të provohej në gjykatë, përmes fakteve, ndonjë ndërhyrje në buxhetin e shtetit. Sipas tij, në dosjen e SPAK-ut për inceneratorët ka akuza dhe disa elementë të dukshëm abuzimi, siç i konsideron ai dhe socialistët, por ende nuk ka parë diçka domethënëse lidhur me buxhetin e shtetit.
Rama deklaroi gjithashtu se, nëse akuzat do të shërbenin si bazë për të mos emëruar apo për të shkarkuar menjëherë dikë, atëherë ai vetë do të duhej të largohej nga detyra që në mëngjes e deri në darkë, për shkak të numrit të madh të akuzave ndaj tij. Kjo, tha kryeministri, e ka bërë të besojë se edhe persona të tjerë mund të akuzohen padrejtësisht, njësoj si ai.
