Vatra zjarri janë shënuar në disa qarqe të vendit gjatë ditës së sotme, ndërsa Shqipëria ndodhet tashmë në muajin shtator.
Nga 21 vatra të raportuara në territorin shqiptar, 5 vijojnë të jenë aktive, 9 janë nën mbikëqyrje dhe 7 janë shuar plotësisht. Vatrat aktive ose në monitorim janë kryesisht në qarqet Dibër, Shkodër dhe Fier. Zjarri në Dajt është shuar, ndërsa situata po ndiqet nga strukturat e Mbrojtjes Civile.
Të lidhura
None found
Për shuarjen dhe kontrollin e flakëve janë angazhuar 324 forca operacionale vendore dhe lokale, 17 automjete zjarrfikëse, si dhe 92 efektivë të Forcave të Armatosura, 10 mjete, 1 dron dhe 1 ambulancë. Autoritetet njoftojnë se aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Përmbledhja e situatës së zjarreve i referohet datës 11.09.2026, ora 20:00.
Në Qarkun Tiranë, zjarri në Malin e Dajtit është shuar. Në ndërhyrje u përfshinë gjatë ditës edhe 33 forca ushtarake, 4 mjete dhe 1 ambulancë. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra në Malin me Gropa është izoluar dhe vijon të mbahet nën vëzhgim.
Situata mbetet aktive në Qarkun Dibër, ku vijojnë zjarret në Lundre–Madhesh të Matit, Cerrujë–Mali i Allushit në Klos dhe në Selishtë. Vatra në Qafën e Helmes, Bulqizë, është nën mbikëqyrje.
Në Qarkun Shkodër, zjarri në Porav të Fushë-Arrëzit është ende aktiv. Vatra në Rragam të Shkodrës po monitorohet, ndërsa gjatë ditës në operacione u angazhuan edhe 22 forca ushtarake dhe 3 mjete. Edhe vatra në malin e Tërbunit është nën mbikëqyrje. Në Rragam dhe Tërbun nuk raportohen banesa në rrezik.
Në Qarkun Fier, vatra në Çërrilë të Mallakastrës mbetet aktive, por është izoluar. Për shuarjen e saj po punojnë strukturat vendore, të mbështetura nga 32 forca ushtarake dhe 3 mjete. Zjarri në Peshtan vijon të mbahet nën monitorim.
Vatrat e identifikuara në qarqet Lezhë, Elbasan dhe Korçë janë gjithashtu nën mbikëqyrje. Në Opar të Korçës nuk ka rrezik për banesat, ndërsa në Gallatë të Kurbinit terreni i vështirë kufizon lëvizjen dhe përdorimin e mjeteve. Megjithatë, edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë vendin, në bashkëpunim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Forcat dhe kapacitetet operacionale qëndrojnë në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me fokus mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
