Sarri afër dhe larg, Lazio intensifikon kontaktet me një tjetër trajner

E ardhmja e pankinës së Lazios është ende një rebus. Pas largimit të befasishëm të Simone Inzaghit me destinacion Interin, drejtuesit e klubit bardhekaltër intensifikuan kontaktet me Maurizio Sarrin, por “tymi i bardhë” është ende larg.

Ndonëse Juventus liroi trajnerin toskan, duke mos i rinovuar kontratën, palët duket se janë ende larg njëra-tjetrës dhe së fundi ka dalë në skenë një tjetër emër, ai i Alessio Dionisit, që riktheu Empolin në Serinë A.

Kontaktet e para me këtë të fundit janë mbajtur ditën e hënë dhe më pas gjithçka është intensifikuar, teksa brenda të premtes mund të vijë edhe një tjetër takim, ku pritet të “vihen pikat mbi i” dhe të firmoset bashkëpunimi.

Dionisi ka bërë një futboll mjaft të bukur te Empoli dhe mbi të gjitha është një trajner i ri, pa shumë pretendime mbi organikën, ndryshe nga Sarri, që ka si kusht krijimin e një skuadre konkurruese.

Megjithatë edhe te trajneri i toskanëve nuk mjafton vetëm arritja e marrëveshjes, pasi Dionisi ka kontratë me Empolin deri në verën e ardhshme dhe klubi i sapo ngjitur në elitën e futbollit italian kërkon dy milionë euro dëmshpërblim.

Për të zbutur pretendimet e Empolit, presidenti Claudio Lotito mund të përfshijë në marrëveshje edhe fantazistin me origjinë shqiptare, Nedim bajrami, të cilin mund ta sjellë në kryeqytet bashkë me trajnerin Dionisi, për një shifër totale prej 12 milionë eurosh.


Shtuar 2.06.2021 11:52