Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Helsingborgut në Suedi, ku një 20-vjeçar shqiptar ka humbur jetën pas një sulmi me armë zjarri, ndërsa një e re që ndodhej me të ka mbetur e plagosur.
Sipas mediave suedeze, të shtënat janë raportuar pak para mesnatës, duke vënë në lëvizje menjëherë forcat e policisë dhe shërbimet e emergjencës. Zona ku ndodhi krimi u rrethua dhe u vendos nën kontroll të rreptë, ndërsa hetuesit nisën menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Të lidhura
None found
Pavarësisht kontrolleve dhe hetimeve intensive gjatë natës, autoritetet suedeze bëjnë me dije se deri në këto momente nuk ka ende persona të dyshuar apo të arrestuar për atentatin që i mori jetën të riut shqiptar.
Nga të shtënat ka mbetur e plagosur edhe një vajzë rreth 25 vjeçe, e cila ndodhej në shoqërinë e viktimës në momentin e sulmit. Ajo është transportuar menjëherë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa nuk dihen ende detaje mbi gjendjen e saj shëndetësore.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se pista kryesore ku po përqendrohen autoritetet lidhet me aktivitetin kriminal. Dyshohet se 20-vjeçari mund të ketë qenë i përfshirë në një rrjet të trafikimit të lëndëve narkotike që vepron në Helsingborg dhe në rajonin e Skåne, një zonë e njohur për përplasjet mes grupeve kriminale.
Viktima është identifikuar si shtetasi M.Ll, 20 vjeç, me origjinë nga Fieri. Ai jetonte prej vitesh në Suedi së bashku me familjen e tij, ku kishte emigruar në moshë të re.
Ngjarja ka rikthyer edhe një herë vëmendjen te rritja e dhunës së lidhur me krimin e organizuar në disa qytete suedeze, ku përplasjet mes bandave shpesh përfundojnë me viktima.
Hetimet vijojnë intensivisht, ndërsa policia suedeze po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.
