Real Madrid do të dhurojë një milion euro për të ndihmuar të prekurit nga lufta në Ukrainë si pjesë e fushatës ‘Të gjithë me Ukrainën’.
Kjo fushatë u nis nga Fondacioni Real Madrid më 5 mars për të ndihmuar njerëzit që u është dashur të largohen nga shtëpitë e tyre në Ukrainë.
Fondacioni punon me një sërë OJQ-sh ndërkombëtare, dhe në këtë situatë, po punon me Kryqin e Kuq Spanjoll, Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), Cesal, Misiones Salesianas dhe Epicentralin për fëmijë.
Kryqi i Kuq Spanjoll po kryen një përpjekje të madhe humanitare brenda Ukrainës, për shembull duke shpërndarë furnizime jetike.
Ata po ndihmojnë për të mirëpritur refugjatët ukrainas në Spanjë dhe Fondacioni Real Madrid ka dhuruar materiale sportive dhe rekreative për fëmijët.
UNHCR po kryen një gamë të gjerë përpjekjesh, të tilla si shpërndarja e batanijeve, dyshekëve dhe furnizimeve të tjera jetike në Kryvyi Rih, në qendër të Ukrainës, ku më shumë se 700 ukrainas kanë mbërritur ditët e fundit në kërkim të sigurisë.
Cesal po ofron mbështetje urgjente për familjet vulnerabël në zonën e Leopolis dhe në kufirin polak, dhe Fondacioni Real Madrid ka dhuruar më shumë se 13,000 veshje për të ndihmuar refugjatët nën kujdesin e Cesal.
Misiones Salesianas po mirëpresin fëmijët, nënat dhe të moshuarit nga lindja, veriu dhe jugu i vendit në objektet e tyre dhe po kujdesen për refugjatët në Poloni dhe Sllovaki.
Epicentr për fëmijë ka punuar me Fondacionin Real Madrid që nga viti 2018 në shtatë shkolla në qytete të ndryshme të Ukrainës, si Kiev, Ternopil, Irpin dhe Khmelnytskyi.
Fëmijëve në këto shkolla do t’u jepet ndihmë logjistike për t’u mundësuar largimin nga Ukraina./ h.ll/albeu.com