Lionel Messi është një nga lojtarët më të mirë në histori dhe thuajse gjithë njerëzit e globit, veçanërisht fëmijët, duan të bëjnë një foto me të. Por ka edhe nga ata që nuk duan.
Një prej tyre është Dani Olmo, talenti i Leipzig dhe kombëtares spanjolle. Për Players Tribune mesfushori kujton foton me Messin, e bërë kur ishte vetëm 8 vjeç.
“Isha tetë vjeç. Po luaja me top kur dikush, mendoj se ishte shoku i babait tim, erdhi tek unë dhe më tha: ‘Hej, Dani, eja këtu! Nuk do ta besosh. Mund të bësh foto me Lionel Messin’. Cili fëmijë nuk dëshiron një foto me të?
Epo, unë! I thashë: ‘Jo, faleminderit. Jam mirë’. Por kundër vullnetit tim, ata më ulën pranë Messit dhe më bënë një foto. Jam i lumtur tani, e kam foton në murin e shtëpisë, por atëherë nuk isha shumë i lumtur”, tha spanjolli.