FSHF ka vendosur të ndërrojë tapetin e stadiumit “Air Albania”. Kombëtarja do të zhvillojë sfidën e radhës në stadiumin kombëtar më 5 shtator. Përballë do të jetë Hungaria, sfidë e vlefshme për ndeshjet kualifikuese të Botërorit Katar 2022.
Punimet për vendosjen e tapetit të ri kanë nisur ditën e djeshme (e premte), siç lajmëron FSHF në faqen zyrtare të saj. Procesi i heqjes së tapetit të vjetër si dhe rregullimi i bazamentit zgjat nga shtatë deri në nëntë ditë. Tapeti i ri që do të vendoset do të ketë në përbërjen e tij bar hibrid dhe bar natyral.
Në një prononcim të dhënë për fshf.org, administratori i stadiumit “Air Albania”, Kejdi Tomorri është shprehur se pas heqjes së tapetit dhe rregullimit të bazamentit, do të vijojë puna për shtrimin e tapetit hibrid, duke theksuar që do të jetë gati për muajin shtator.
“Kemi filluar nga dita e djeshme heqjen e tapetit të vjetër, proces i cili së bashku me rregullimin e bazamentit do të dojë një kohë nga shtatë deri në nëntë ditë. Më pas do të procedohet me instalimin e tapetit hibrid, i cili do të mbillet me farën e barit.
Normalisht është një proces që kërkon dy muaj kohë, por ne jemi duke i afruar proceset me njëra-tjetrën dhe besoj se në datën 5 shtator për ndeshjen e parë që Shqipëria do të luajë këtu ndaj Hungarisë, fusha do të jetë gati dhe në gjendje optimale.
Përzgjedhja e tapetit hibrid është bërë me këtë qëllim, që të mbajë ngarkesë më të madhe dhe mund të përdoret edhe për koncerte apo spektakle që mund të mbahen në fushë“, përfundoi Tomori.