Ndryshimi i trajnerit nuk e ndryshon Kukësin, “Demat e Kuq” i mposhtin në shtëpi

Partizani ia ka dalë të sigurojnë 3 pikët në “Kukës Arena”, duke mposhtur 2-1 verilindorët e Enkelejd Dobit, për të rimarrë kështu edhe vendin e parë në tabelën e klasifikimit me një pikë më shumë se Erzeni.

Partizani do të kalonte i pari në avantazh në “Kukës Arena”, ku Tedi Cara do të ndëshkonte Angel Tafas. Sulmuesi i demave shënoi nga goditja e dënimit një supergol në minutën e 16-të. Festa zgjati shumë pak, pasi autori i golit u godit nga tifozët me shishe në sy, lojtarin që u desh të dilte nga fusha e lojës, pasi e kishte të pamundur të vazhdonte pjesën tjetër të ndeshjes.

Kukësi bën shumë pak në pjesën e parë për të rikthyer baraspeshën, me ritmin e lojës që ra ndjeshëm. 45-minutat e para në “Kukës Arena” u mbyllën me avantazhin e miqve, teksa pjesë e dytë do të ishte një tablo tjetër.

Daci që nga tuneli do të gjente golin e barazimit. Një zbritje e shpejtë nga e majta, Daci futet në zonë dhe mposht portierin Rexhepi. Verilindorët marin zemër nga goli i shënuar, me lojtarët që krijojnë raste të tjera shënimi, por do të mungonte finalizimi.

Kukësi sheh më shumë drejt sulmit, por edhe Partizani zbret rrezikshëm sa herë që ka mundësinë, teksa në të 73-të do të vinte dhe goli i avantazhit për demat. Enea Bitri ndëshkon për herë të dytë Tafas. 1-2 për miqtë që provojnë të gjejnë edhe golin e sigurisë në “Kukës Arena”.

Kukësi në minutat e mbetura provon me gjithë forcat, por vendasit nuk do të mund të ndryshonin fatin e kësaj ndeshje duke marrë një tjetër humbje në këtë sezon, ndërsa vazhdojnë të renditet të fundit në tabelën e klasifikimit me vetëm 2 pikë në 5 ndeshje të luajtura deri më tani.


Shtuar 19.09.2022 17:09