Pasi fitoi titullin kampion për 9 vite radhazi, këtë sezon Juventusi po lufton për një vend në zonën Champions dhe për t’ia dalë do t’i duhet të marrë tre pikët në transfertën friuliane ndaj Udineses e më pas të provojë suksesin edhe në ndeshjen direkte me Milanin.
Andrea Pirlo doli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku vlerësoi maksimalisht Udinesen dhe kërkoi angazhim nga të tijtë, teksa zbuloi se misionin e dërgimit të topit në rrjetë do t’ia besojë sërish Cristiano Ronaldos e Paulo Dybalës.
“Udinese është një skuadër e organizuar shumë mirë taktikisht dhe me shumë cilësi teknike, ndaj duhet të bëjmë kujdes, pasi po kalojnë një moment mjaft të mirë dhe mund të na ndëshkojnë. Në sulm do të luajnë Ronaldo e Dybala, pasi Morata ka një problem të vogël fizik dhe nuk e di a do të jetë edhe në pankinë”, u shpreh Pirlo.
E ardhmja e trajnerit është vënë shpesh në dyshim dhe në Itali raportojnë se në rastin më të mirë Pirlo do të qëndrojë deri në fund të sezonit, por në rast dështimi në Friuli, mund të shkarkohet menjëherë.
“Unë jam shumë i qetë. Kam folur me drejtuesit dje, ku kemi bërë disa shaka dhe më pas kemi diskutuar për punë. Jam i qetë dhe i përqendruar të mbyllim kampionatin në mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh trajneri bardhezi.