Ndeshja Çeki-Shqipëri, Laçi: Kundërshtar i fortë, por duam fitoren

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në orën 20:45 përballë Republikës Çeke në Pragë, sfidë kjo e vlefshme për Ligën B, Grupi 1 të Nations League.

Kuqezinjtë janë gati dhe optimistë se mund të bëjnë një paraqitje të ngjashme si në dy takimet për kualifikueset e Europianit 2024, ku kanë arritur të marrin rezultate pozitive.

Mesfushori Qazim Laçi, në një intervistë televizive, u shpreh optimist për sfidën që do të luhet në “Epet Arena”, Pragë.

“Për mua është pak e veçantë, sepse përballë kam shumë lojtarë me të cilët kam luajtur. Ky është stadiumi i Sparta Pragës, ku jam aktualisht. Është një gjë e mirë sepse do të ketë tifozë të Spartës së Pragës, por edhe shumë tifozë shqiptarë që do të na mbështesin,” u shpreh ai.

Laçi tha se skuadra çeke vjen e motivuar para tifozëve të saj, por kuqezinjtë duhet të jenë psikologjikisht të përgatitur për të arritur një rezultat pozitiv.

“Çekia nuk ka ndryshuar shumë që nga hera e fundit. Është një ekip shumë i fortë fizikisht. Këtë e kanë treguar edhe ndeshjet që kemi zhvilluar më parë. Nuk besoj se do të ndryshojnë shumë stilin. Do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme për ne që të marrim një fitore tjetër. Duhet të jemi psikologjikisht shumë të fortë, sepse besoj që edhe kundërshtari do të jetë më i përgatitur se herët e tjera. Besoj se do të jenë më të motivuar, pasi luajnë para tifozëve të tyre,” tha Laçi.

Aktualisht, Shqipëria dhe Republika Çeke kanë nga 3 pikë, duke u renditur në vendin e dytë dhe të tretë në grup, pas 2 ndeshjeve të para, ndërsa Gjeorgjia mban kreun me 6 pikë. Jasir Asani dhe Thomas Strakosha duhet të shmangin kartonët e verdhë sot në Pragë, pasi nëse njëri prej tyre ndëshkohet, atëherë do të mungojë në sfidën kundër Gjeorgjisë më 14 tetor.

Në media është bërë e ditur se janë më shumë se 1000 tifozë kuqezi në mbështetje të Kombëtares. “Epet Arena”, impianti ku do të zhvillohet ndeshja, i cili ka një kapacitet prej 18,887 ulësesh, ndërsa afro 450 tifozë janë pjesë e grupit të Tifozëve Kuqezi. Pjesa tjetër kanë udhëtuar nga vende të ndryshme të botës për këtë duel.

Kombëtarja do të paraqitet sot kundër Çekisë në Pragë me uniformën e dytë, atë të bardhë.

Pas dy ndeshjeve të para situata në grupin e Kombëtares sonë paraqitet si më poshtë:

Liga B, Grupi 1
1. Gjeorgjia 6 pikë (6:1)
2. Shqipëria 3 pikë (2:2)
3. Çekia 3 pikë (4:4)
4. Ukraina 0 pikë (2:7)


Shtuar 11.10.2024 20:19