Çdo person mund të autorizojë një përfaqësues doganor që ta përfaqësojë gjatë procedurave doganore dhe të veprojë në emër e për llogari të tij, ka bërë të ditur Dogana e Kosovës.
Të lidhura
None found
Sipas sqarimit të Doganës, përfaqësimi doganor ndahet në dy forma: të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë.
Në rastin e përfaqësimit të drejtpërdrejtë, përfaqësuesi vepron në emër dhe për llogari të një personi tjetër. Ndërsa te përfaqësimi i tërthortë, ai vepron në emër të vet, por për llogari të një personi tjetër.
Përfaqësuesi doganor duhet ta ketë selinë në territorin doganor të Republikës së Kosovës, me përjashtim të rasteve të veçanta që përcaktohen përmes një akti nënligjor.
Për t’u pajisur me autorizim, përfaqësuesi duhet të jetë i regjistruar për zhvillimin e veprimtarisë biznesore, të mos ketë borxhe të papaguara doganore apo tatimore dhe të dëshmojë integritet profesional.
Dogana e Kosovës ka deklaruar se do të vijojë informimin e qytetarëve dhe bizneseve mbi procedurat dhe kërkesat doganore, me synim forcimin e transparencës dhe zbatimin e legjislacionit në fuqi.
