Gjykata e Apelit ka rrëzuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për rastin e veteranëve, duke liruar nga përgjegjësia penale Agim Çekun dhe nëntë të akuzuar të tjerë. Në shkallën e parë, ata ishin shpallur fajtorë dhe ishin dënuar me nga një vit burgim.
Të lidhura
None found
Çështja penale përfshinte Agim Çekun, Nuredin Lushtakun, Sadik Halitjahën, Shkumbin Demaliajn, Qelë Gashin, Shukri Bujën, Ahmet Dakun, Rrustem Berishën, Faik Fazliun, Smajl Elezajn, Fadil Shurdhajn dhe Xhavit Jasharin. Të gjithë akuzoheshin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje.
Pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtjes, kolegji penal i Departamentit Special të Gjykatës së Apelit, i kryesuar nga Mentor Bajraktari dhe me anëtarë Valon Kurtajn e Vaton Durgutin, vendosi të ndryshojë aktgjykimin e 12 shtatorit 2025 të Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Vendimi i Apelit i shpall të pafajshëm Agim Çekun, Sadik Halitjahan, Shkumbin Demaliajn, Qelë Gashin, Shukri Bujën, Ahmet Dakun, Rrustem Berishën, Faik Fazliun, Fadil Shurdhajn dhe Xhavit Jasharin.
Sipas gjykatës, nuk është dëshmuar se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale për të cilën ishin vënë nën akuzë.
Dhjetë të akuzuarit ishin shpallur fajtorë nga gjykata e shkallës së parë, e cila kishte caktuar për secilin prej tyre dënim prej një viti burgim.
Përveç burgimit, Gjykata Themelore i kishte ngarkuar të paguanin nga 200 euro për shpenzimet e procedurës penale, si dhe nga 50 euro në Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
