Miqësorja me Lihtenshtejnin, ndryshime në listën e Kombëtares U-19

Kombëtarja U-19 do të luajë nesër në “Shtëpinë e Futbollit” ndeshjen e parë miqësore kundër Lihtenshtejnit. Kuqezinjtë do të kryejnë pasditen e sotme seancën e fundit stërvitore nën drejtimin e trajnerit Julian Ahmataj në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se lojtari Olsi Myrta nuk do jetë pjesë e dy sfidave miqësore të planifikuara ndaj Lihtenshtejnit për shkak të një dëmtimi. Për këtë arsye, trajneri Ahmataj ka vendosur të thërrasë në ekip futbollistin e Tiranës, Ariel Krajka. Sa i përket pjesës tjetër të grupit, nuk ka asnjë problem dhe të gjithë gëzojnë shëndet të plotë.

Gjithashtu, ka edhe një ndryshim në orarin se kur do të luhet ndeshja. Fillimisht, ky takim miqësor ishte planifikuar të luhej në ora 16:30, por për shkak të temperaturave të larta, ndeshja është spostuar me 120 minuta dhe do të zhvillohet në ora 18:30 në “Shtëpinë e Futbollit”.

Kuqezinjtë kanë zhvilluar 5 seanca stërvitore që prej ditës së hënë në Shtëpinë e Futbollit, teksa do të kryejnë edhe seancën e fundit stërvitore pasditen e kësaj të enjteje. Sfida e dytë miqësore me Lihtenshtejnin do të luhet të dielën në ora 10:00 në “Shtëpinë e Futbollit”.

Këto nuk janë të vetmet ndeshje miqësore në program për kuqezinjtë U-19, që do të kenë të tjera ndeshje për të luajtur në muajt në vijim, përpara takimeve zyrtare për kualifikueset e Europianit “Rumani 2025”, ku Shqipëria është pjesë e Grupit 11, së bashku me Izraelin, Danimarkën dhe Irlandën e Veriut. Ndeshjet e këtij grupi do të luhen në vendin tonë në datat 13, 16 dhe 19 nëntor 2024.


Shtuar 8.08.2024 16:55