Messi gati të firmosë kontratën e re me Barcelonën, këto janë detajet

Barcelona dhe Leo Messi kanë arritur një marrëveshje në parim për rinovimin e yllit argjentinas për pesë vitet e ardhshme me disa të dhëna ekonomike interesante që do ta ndihmojnë klubin në përballimin e krizës ekonomike.

Leo do të ketë një klauzolë lirimi prej 350 milionë eurosh në rast se ndonjë nga klubet e fuqishme në Evropë dëshiron ta bindë atë të nënshkruajë për ta.

Shifra tjetër e rëndësishme është ulja e pagës që Messi ka pranuar prej 50%. Leo i ka kuptuar nevojat e ekipit që i janë shprehur atij nga presidenti, Joan Laporta, dhe situatën aktuale ekonomike. Hapi i kapitenit, është një shembull i rëndësishëm për lojtarët tjerë që marrin paga të mëdha.

Me kontratën e re pesë-vjeçare, Messi do të jetë “Blaugran” derisa pak para se të mbush 39 vite. Me këtë marrëveshje, Messi siguron që ai do të arrijë në formën më të mirë për Kupën e Botës Katar 2022.

Rinovimi i Leo Messit ishte një çështje thelbësore në tryezën e Joan Laportas dhe opsione të ndryshme janë konsideruar duke marrë parasysh situatën aktuale ekonomike të klubit dhe atë të botës së futbollit në përgjithësi.

Nënshkrimi zyrtar i kontratës së re pritet të bëhet në fund të këtij muaji, pasi që për momentin, Leo është me pushime pasi kishte luajtur dhe fituar në Kupën e Amerikës.


Shtuar 14.07.2021 18:14