Në podcastin “Arena e Yjeve” ishte i ftuar ish-portieri kosovar Flamur Neziri, i cili foli për hapat e parë në futboll, eksperiencat e tij te disa prej klubeve të njohura në Kosovë dhe angazhimin e mëvonshëm si trajner i portierëve. Episodi është realizuar me mbështetjen e sponsorit zyrtar Exfis.
Të lidhura
None found
Gjatë rrëfimit, Neziri tregoi se si pasioni i hershëm për Prishtinën u shndërrua në realitet dhe ai arriti ta vishte fanellën e klubit.
Ai kujtoi se, kur ishte fëmijë në 2 Korrik, shkonte së bashku me të tjerë për të ndjekur ndeshjet e Prishtinës dhe për ta mbështetur skuadrën nga tribunat, si pjesë e Plisave.
Ndër kujtimet që i kanë mbetur më shumë në mendje është një përballje mes Besës së Pejës dhe Prishtinës, e cila u ndërpre për shkak të incidenteve të ndodhura në stadium.
Neziri tha se në atë takim kishte një prani të madhe të Plisave në stadiumin e Besës së Pejës dhe se dëshira e tij për të luajtur për Prishtinën ishte forcuar që në fëmijëri.
“Gjithmonë kam punuar dhe jam stërvitur fort me synimin që të më vërente Prishtina. Këtë ëndërr e kam ruajtur deri te Hysi, ndërsa më pas duelet më të forta i kemi zhvilluar pikërisht kundër Prishtinës”, rrëfeu ai.
Portieri tregoi se paraqitjet e mira në përballjet me klubin kryeqytetas i hapën rrugën drejt realizimit të synimit të tij.
“Për fat, në ato ndeshje kam kaluar gjithmonë shumë mirë dhe kam pasur paraqitje pozitive. Klubi më mbajti në vëmendje edhe pas përfundimit të kontratës dhe kur Prishtina më bëri ofertën, nuk u mendova dy herë”, deklaroi Neziri.
Episodi i plotë me Flamur Nezirin mund të ndiqet në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube.
