“Më vjen keq që ekzekutimi i penalltive kërkohet nga lojtarët që nuk gjuajnë mirë”, De Laurentiis kritikon Jorginhon

Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, ka thënë se Jorginho, nuk është ekzekutues i mirë i penalltive. Jorginho e humbi edhe një tjetër penallti të premten mbrëma për përfaqësuesen “Azzurre”.

Italia barazoi 1:1 me Zvicrën në Romë dhe ndeshjen e radhës dhe të fundit në kualifikime e ka kundër Irlandës Veriore.

Silvan Widmer e hapi serinë e golave, para se mbrojtësi i Napolit, Giovanni Di Lorenzo, t’i barazonte shifrat në pjesën e parë. Jorginho e kishte humbur penalltinë edhe në duelin e parë kundër Zvicrës ndërsa pati tjetër mundësi të premten në minutën e 90 të ndeshjes.

“Më vjen keq që ekzekutimi i penalltive kërkohet nga lojtarët që nuk gjuajnë mirë. Nëse Insigne do të ishte në fushë, do të gjuante ai? Ndoshta ai do të bënte më mirë”, ka thënë De Laurentiis.

Jorginho penallti ka humbur edhe kundër Anglisë në finale të “Euro 2020”. Ndërkohë, ka shënuar kundër Armenisë dhe Polonisë me fanellën italiane.


Shtuar 13.11.2021 13:16