Raphinha ka mbetur jashtë listës me 30 kandidatë për Topin e Artë 2026, ndonëse një vit më parë braziliani ishte renditur i pesti.
Të lidhura
None found
Gjatë sezonit 2025/26, sulmuesi i Barcelonës shënoi 21 gola dhe dha shtatë asistime në 33 ndeshje të La Ligës. Megjithatë, paraqitjet e tij nuk arritën nivelin e jashtëzakonshëm të edicionit të mëparshëm.
Në sezonin 2024/25, Raphinha pati një bilanc prej 34 golash dhe 22 asistimesh në 57 paraqitje, duke luajtur rol të rëndësishëm në triumfet e Barcelonës në La Liga, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës.
Performanca e tillë i siguroi brazilianit vendin e pestë në klasifikimin e Topit të Artë.
Vazhdimësia e Raphinhas u ndikua nga problemet fizike sezonin e kaluar. Në të njëjtën periudhë, Barcelona u eliminua nga Atletico Madridi në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, ndërsa braziliani mungoi në ndeshjen e parë të kësaj përballjeje.
Edhe aventura e tij me Brazilin në Botërorin 2026 ndikoi në vlerësimin për të. Raphinha u aktivizua vetëm në dy ndeshjet e para, nuk shënoi dhe më pas u largua nga turneu për shkak të një dëmtimi muskulor. Brazili u eliminua nga Norvegjia në 1/8 e finales.
Në listën e kandidatëve u përfshi ndërkohë Lamine Yamal, i cili kishte zhvilluar një Botëror të suksesshëm me Spanjën.
Përjashtimi i Raphinhas ka ngjallur pakënaqësi edhe në radhët e Barcelonës. Drejtori sportiv Deco e cilësoi të padrejtë mospraninë e brazilianit dhe të Pedrit.
Megjithatë, Raphinha e ka nisur sezonin e ri në mënyrën më të mirë të mundshme, duke realizuar tetë gola në pesë ndeshjet e para zyrtare. Mes tyre janë edhe dy golat e shënuar ndaj Feyenoordit në Ligën e Kampionëve.
Edhe pse kjo ecuri nuk mund ta ndryshojë nominimin për Topin e Artë 2026, ajo i krijon Raphinhas mundësinë të rikthehet fuqishëm në garën për çmimin e vitit 2027.
