Manchester City e ka fituar derbin kundër Arsenali në “Emirates” në minutat e fundit të ndeshjes me rezultat 2:1.
Skuadra vendase zhvilloi një pjesë të parë fantastike, madje ia doli të shënonte golin e epërsisë përmes Bukayo Sakas në minutën e 31-të.
Por gjërat ndryshuan në pjesën e dytë, ndoshta edhe për shkak të vendimeve të diskutuara nga gjyqtari Atwell. Atwell vendosi të akordonte penallti në minutën e 57-të për Cityn, pas ndërhyrjes së Xhakës ndaj Bernardo Silvas. 11-metërshi në gol e konvertoi Riyad Mahrez për ta barazuar rezultatin.
Vetëm dy minuta më vonë, Arsenali mori një goditje tjetër, kur mbrojtësi Gabriel u ndëshkua me karton të kuq.
Kur mendohej se ndeshja po mbyllej me barazim, në skenë doli mesfushori Rodri i cili në minutat e fundit i solli tri pikë tejet të rëndësishme Cityt në luftën për titull.
Arsenali mbetet në vendin e katërt me 35 pikë, ndërsa City me 53 pikë vijon të jetë lider i kampionatit anglez, me 11 pikë më shumë se Chelsea në vendin e dytë, por që ka një ndeshje më pak.