Mes polemikave të shumta në këtë fund kampionati, në futbollin italian ka nisur një luftë tjetër e fortë, këtë herë larg fushave të futbollit, ajo mes menaxherëve të futbollistëve, teksa konflikti ka shkuar në Prokurorinë Federale.
Përleshjet mes agjentëve të ndryshëm për të marrë të drejtën e përfaqësimit të futbollistëve tani kanë përfunduar nën hetim, teksa nga njëri krah është agjencia WSA e drejtuar nga Alessandro Lucci, e cila menaxhon mes të tjerëve edhe Leonardo Bonuccin dhe nga ana tjetër janë agjentët e Kulusevskit, Scamaccës e Castrovillit.
Pikërisht qendërmbrojtësi italian i Juventusit është në qendër të hetimit, pasi sipas agjentëve që i kanë hapur luftë ËSA-së, Bonucci u ka ushtruar presion të vazhdueshëm klientëve të tyre, për të kaluar në agjencinë e Alessandro Luccit.
Presioni i Bonuccit është bërë nëpërmjet mesazheve të vazhdueshme, ku u është premtuar pagë më e lartë në rast kalimi te WSA-ja, madje deri edhe në grumbullim në kombëtaren italiane.
Në fakt angazhimin për t’u shtuar klientët agjentëve të tyre, në dhomat e zhveshjes nuk e bën vetëm Bonucci, por edhe futbollistë të tjerë, megjithatë akuza që rëndon jo pak mbrojtësin, është ajo e premtimit për ftesën në kombëtaren italiane.
Nëse kjo provohet, atëherë hetimi do të shkojë përtej, për të parë se cilët njerëz janë përfshirë në nivel institucional dhe nëpërmjet të cilëve Bonucci bën të mundur ftesën e këtyre lojtarëve në kombëtare.