Drejtori sportiv i Paris Saint-Germain, Leonardo ka treguar të ardhmen e dy prej yjeve kryesore të skuadrës, Kylian Mbappe dhe Marquinhos.
Emri i Mbappes ka qenë njëri nga më të lakuarit në afatin e fundit kalimtar dhe këto muajt e fundit në përgjithësi.
Francezi është në vitin e fundit të kontratës me PSG-në dhe deri më tani palët kanë dështuar të arrijnë një marrëveshje rinovimi.
Real Madridi është lidhur shumë me një transferim të sulmuesit francez në janar apo në verë si lojtar i lirë, por klubi francez nuk heq dorë aq lehtë.
Është drejtori sportiv i klubit, Leonardo, i cili ka folur për Mbappen, ndërsa ka konfirmuar edhe qëndrimin e kapitenit Marquinhos.
“Kylian Mbappe është ‘i frikshëm’. Ai është ndryshe, është fantastik. Dhe po, ju e dini se çfarë duam… është e qartë. Do të shohim”.
“Marquinhos do të qëndrojë në Paris Saint-Germain përgjithmonë. Ai nuk dëshiron të largohet nga klubi”, ka thënë Leonardo.