Elbasani dhe Vllaznia u ndanë në barazim 1-1 mbrëmjen e djeshme, në një përballje të shoqëruar me disa episode të diskutueshme. Një prej tyre ndodhi në minutën e 88-të, kur goli i Ensar Tafilit u anulua nga arbitri Dorjan Maletaj.
Vendimi u analizua në emisionin “Supergol” në RTSH, ku specialisti i moviolës Klajdi Kola shprehu rezerva për anulimin. Sipas tij, futbollisti në pozicion jashtë loje nuk ndikonte në mundësinë e portierit për të reaguar, pasi ndodhej në distancë të largët. Për këtë arsye, Kola vlerësoi se goli mund të ishte lënë i vlefshëm.
Të lidhura
None found
Analiza e golit të anuluar të Ensar Tafilit
“Goli u akordua në fillim, por më pas Barjamaj thirri arbitrin për pozicionin jashtë loje të futbollistit. Pozicioni offside është i konfirmuar, ndaj çështja mbetet nëse lojtari kishte ndikim apo jo në rrezen e portierit.
Për të përcaktuar nëse ka ndikim, merren parasysh disa kritere, ndër të cilat edhe largësia mes portierit dhe futbollistit. Në këtë rast, distanca është e madhe. Në çastin e goditjes, portieri nuk e shikon topin dhe bën edhe një lëvizje tjetër, por lojtari nuk e pengon, pikërisht sepse është larg. Nuk ekziston një distancë e përcaktuar, megjithatë ajo duhet të jetë e afërt. Më i rëndësishëm është këndi i shikimit: duhet parë nëse portieri e ka apo jo topin në fushëpamje.
Rasti mbetet i diskutueshëm. Edhe distanca është e largët dhe mendoj se mund të ishte marrë edhe një vendim tjetër. Në vlerësimin tim, lojtari ka hapësirë nga portieri dhe nuk ndikon te ai, pasi portieri kishte mundësi të hidhej për ta kapur topin”, deklaroi Kola.
