Interi “pushtohet” nga Covid-19, edhe Handanovic rezulton pozitiv

Interi në emergjencë për shkak të COVID-19. Pas pozitivitetit të Danilo D’Ambrosios, raundi i ri i testeve molekulare ka zbuluar një tjetër rast pozitiv. Bëhet fjalë për portierin titullar, Samir Handanovic. Sipas protokollit, lojtari slloven u largua menjëherë nga stërvitja dhe u izolua në banesën e tij. Situata në shtëpinë zikaltër do të monitorohet me shumë kujdes në prag të ndeshjes kundër Sassuolos, që do të zhvillohet të shtunën në mbrëmje.

Interi është në izolim të përkohshëm (zgjat 14 ditë), por futbollistët kanë lejen e autoriteteve shëndetësore për të udhëtuar nga banesat respektive në qendrën stërvitore Pinetina, ku lojtarët do të jenë të detyruar të konsumojnë vaktet ushqimore dhe të bëjnë dush në dhomat e tyre.

Nëse në këtë moment ndeshja kundër Sassuolos nuk është në dyshim, duhet të vlerësohet situata për lojtarët që kanë marrë ftesë nga përfaqësueset e tyre. Autoritetet shëndetësore, duke pasur parasysh izolimin e zikaltërve, mund të vendosin të mos lejojnë largimin e futbollistëve në kombëtare.

Vendimi do t’i komunikohet klubit brenda 48 orëve të ardhshme.


Shtuar 18.03.2021 09:41