Florian Marku humbet ndeshjen e parë në karrierë, Chris Kongo merr titullin IBO Intercontinental

Florian Marku ka humbur ndeshjen e parë në karrierën e boksit profesionist. Në “O2 Arena” të Londrës ishte Chris Kongo që fitoi me pikë pas dhjetë raundeve, me shqiptarin që u penalizua në raundin e tetë pas një faulli dhe një pike të hequr nga gjyqtari. Tanimë është Kongo që siguron titullin IBO Intercontinental Welter.

Në sallën e madhe të boksit Marku u fut me këngën e Noizyt, me reperin shqiptar prezent në pistë. Të shumtë ishin shqiptarët në mbështetje të 31-vjeçarit, që nuk ia doli pas dhjetë raundeve.

Boksieri shqiptar e nisi më mirë ndeshjen, me dy raundet e para që u duk superior. Më pas Kongo fitoi pikë të rëndësishme dhe në raundin e tetë një faull për një goditje pas koke penalizoi Markun me -1 pikë në atë raund, çka në fund arbitrat vendosën që Kongo të fitonte me pikë 3-0 (përkatësisht 96-94, 96-93, 98-92).

Florian Marku në 15 ndeshje ka siguruar 13 fitore (8 me KO), një barazim dhe një humbje, kjo e 31 marsit në Londër kundër Kongos. Kështu, veç humbjes së parë në karrierë, Marku humbet edhe mundësinë për titullin IBO në peshën deri 67 kg.

Nga ana tjetër Kongo u rikthye te suksesi pas dy humbjeve, teksa në karrierë siglon 15 fitore.


Shtuar 1.04.2024 05:04