Fituesi i “Topit të Artë”, France Football për vitin 2022 ndryshon rregullin

France Football po përgatitet të ndryshojë rregullat në përzgjedhjen e Topit të Artë për sezonin e ardhshëm dhe planifikon të zgjasë votimin deri në mes të dhjetorit për shkak të mbajtjes së Botërorit në Katar.

Kupa e Botës është sigurisht ngjarja më e rëndësishme vitin e ardhshëm kalendarik dhe në bazë të performancës në Kupën e Botës, ndoshta do të merret një vendim për lojtarin më të mirë në botë.

Kupa e Botës në Katar do të mbahet nga 21 nëntori deri më 18 dhjetor dhe pikërisht për këtë redaktorët e kësaj gazete franceze planifikojnë ta zhvendosin votimin në mënyrë që gazetarët botërorë të kenë më shumë kohë për të përzgjedhur fituesin e Topit të Artë.

Kujtojmë, argjentinasi Lionel Messi fitoi të hënë  Topin e Artë për herë  të shtatë në karrierë, duke lënë pas Robert Lewandowskin.

Messi ka fituar më parë Topin e Artë në 2009, 2010, 2011, 2012, 2015 dhe 2019. Kështu argjentinasi mbeti lojtari me numrin më të madh të Topave të Artë (7), Cristiano Ronaldo ka pesë, dhe Platini, Cruyff dhe Van Basten nga tre.


Shtuar 30.11.2021 19:18