Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, i pezmatuar nga buxheti i qeverisë për sportin, ditën e sotme ka zhvilluar një mbledhje me Ministrinë e Sporteve dhe propozimi i tij është hapja e basteve sërish dhe një pjesë e të ardhurave që mblidhen nga taksat të shkojnë për sportin.
“Ne duam që këto para t’i kontrollojë qeveria, jo Federata, as KOKSH-i, por vetë qeveria sepse mbledh të ardhura jo vetëm për sportin. Janë miliona euro, e dinë të gjithë. Ato para të shkojnë për sportin, për këto kampionë që janë këtu me mua që e kanë nderuar Shqipërinë.
Ne patëm një mundësi që na dhanë 200 milionë lekë Ministria për në Olimpiadë dhe ne ia akorduam sportistëve tanë që të stërviten dhe me ato stërvitje dhanë rezultat, me një kampionë bote dhe dy medalje të tjera në stilin e shkëputjes në Uzbekistan.
Ne nuk duam që të nxjerrim atletët tanë që me trofetë dhe me medaljet e tyre të bëjnë grevë përpara kryeministrisë, por të sensibilizojmë qeverinë dhe kryeministrin. Janë miliona lekë, që i ka krimi. Të gjithë e dimë dhe asnjë nuk flet.
Ato para më pas të bëhen qendra Olimpike, sepse sporti nuk është një garë, por cilësi jete. Nuk mjaftojnë stadiumet e reja dhe zyrat, sepse nuk më duhen zyrat e KOKSH dhe projekti 5 milionë euro nëse këto projekte nuk balancohen me buxhetet e federatave”, u shpreh Ylli. /h.ll/albeu.com