EURO 2020/ Angli – Çeki për vendin e parë, “luftë” mes Kroacisë dhe Skocisë

Fazës hapëse po i vjen fundi dhe pak nga pak po përvijohen edhe çiftet e raundit të ardhshëm, me eliminim të drejtpërdrejtë. Ashtu si ditën e diel, edhe këtë të martë janë programuar vetëm dy takime gjithsej. Bëhet fjalë për sfidat e Grupit D, ndërsa ndeshjet e Grupeve E dhe F do të luhen një ditë më pas, duke mbyllur në këtë mënyrë edhe fazën e parë të këtij Evropiani.

Kur nisi edicioni i 16-të i Evropianit, Anglia konsiderohej nga shumë vetë si një ndër skuadrat përfaqësuese pretendente për t’u kurorëzuar pikërisht në Wembley me trofeun Henri Delaunay, por tani gjërat duket se kanë ndryshuar dhe të parët që kanë reaguar në këtë aspekt janë vetë bookmakers-at, që i ridimensionuan pa humbur kohë kuotat e tyre. Ndeshjet e dobëta të ekipit të “Tre luanëve” si dhe zgjedhjet tepër të çuditshme të trajnerit Gareth Southgate kanë ndikuar në masë të gjerë te opinioni publik, sidoqoftë nëse ka diçka të mirë të paktën përsa i përket dy sfidave të para kjo është përmbushja e objektivit fillestar, për kalimin e fazës së grupeve.

Anglia ka ofruar vërtet shumë pak në këtë Evropian, duke patur parasysh cilësitë e futbollistëve të grumbulluar apo qoftë edhe pritshmëritë e mëdha në Ishull. Mbi të gjitha në këtë edicion anglezët patën gjithashtu edhe favorin e faktorit fushë, duke i zhvilluar ndeshjet e fazës së grupeve në shtëpi, pra pikërisht në stadiumin mitik londinez, impiant që është parashikuar të mbajë çerekun e kapacitetit gjithashtu edhe për sfidën përmbyllëse të Anglisë në fazën e grupeve, apo qoftë edhe takimin hapës të fazës së “knock out” për “Tre Luanët”, gjithmonë nëse vendasit ia dalin për të marrë kreun në Grupin D.

Për hir të së vërtetës, Anglia e ka vetë në dorë fatin e mëtejshëm si dhe rrugën që do të ndjekë në vazhdimin e këtij kompeticioni, duke patur parasysh që ekipi kombëtar që fiton në këtë grup do të përballet në mënyrë të pashmangshme në raundin tjetër me një nga tri skuadrat përfaqësuese të Francës, Portugalisë apo Gjermanisë, në varësi të rezultateve që do të prodhojnë sfidat e fundit apo vendit që do të pozicionohet i dyti në klasifikimin përmbyllës të Grupit F.

Në duelin e fundit të fazës së grupeve Anglia do të masë forcat me Republikën Çeke, kështu që “Tre Luanët” i kanë mundësitë për të shmangur një short të tmerrshëm që në raundin e parë. Llogaritë për fazën e mëtejshme gjithsesi mbeten të ndërlikuara, por nëse do të përmbushej një skenar i tillë, pra me vendasit në vendin e dytë, atëherë Anglia do të hiqte dorë nga Wembley. Është e qartë që si Anglia ashtu edhe Republika Çeke janë me një këmbë në fazën tjetër, për shkak të renditjes aktuale.

Në Grupin D për momentin Republika Çeke dhe Anglia janë në kuotë të barabartë pikësh 4, por miqtë udhëheqin falë golaverazhit 3-1, ndërsa ekipi i drejtuar nga 50-vjecari nga Watfordi aktualisht ka golaverazhin 1-0. Anglia pozicionohet në vendin e katërt në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s, ndërsa Republika Çeke mban vendin e 40 në renditjen botërore.

Vendasit luajnë për herë të 10-të në fazën finale të këtij aktiviteti, njësoj si edhe çekët, të cilët ndryshe nga anglezët janë kurorëzuar me titullin më të lakmuar të Kontinentit të Vjetër në rang përfaqësuesesh në vitin 1976, kur mundën pas gjuajtjeve të 11-metërshave në Beograd Republikën Federale Gjermane. Në krahun tjetër përfaqësuesja e “Tre Luanëve” krenohet thjesht me dy kualifikime deri në katër skuadrat më të mira, më konkretisht në 1968, në Itali, si dhe në vitin 1996 në Evropianin që organizuan vetë. Nuk do të ishte aspak çudi që ndeshja të mbyllej në barazim, pasi një rezultat i tillë do t’i mbante gjërat njësoj dhe nuk do t’i prishte punë asnjërës prej tyre.

Trajneri Gareth Southgate është kritikuar pafund në atdhe për lënien jashtë të mesfushorit të Aston Vilës, Jack Grealish, të cilin e kërkon Pep Guardiola te Manchester City, por gjithashtu edhe për alternimet e shpeshta të mbrojtësve apo ndryshimet në pozicionimin e futbollistëve sa i përket manovrës sulmuese.

Çekët kanë fituar takimin e fundit kompetitiv mes tyre në Pragë, në tetorin e vitit 2019 me shifrat 2-1. Këto dy përfaqësuese njihen vërtet shumë mirë, sepse, për ironi të fatit, dy vendet ishin shortuar gjithashtu në të njëtin grup edhe në sfidat eliminatore të këtij Evropiani. Në Grupin A Anglia pati fituar 5-0 duelin e parë në Wembley dhe për rrjedhojë “Tre Luanët” e përfunduan grupin me 6 pikë më shumë sesa Republika Çeke. Anglia kryeson 4-2 përsa i përket 6 sfidave kompetitive dhe 11 me 3 bilancin e përgjithshëm të 18 takimeve ndërmjet tyre, kuptohet duke përfshirë edhe përballjet me Çekosllovakinë. Natyrisht ndeshja më e fortë luhet në Glasgow, ku Skocia do të presë Kroacinë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Steve Clarke zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer në Wembley, duke thyer të gjitha parashikimet e mundshme ndaj rivalëve të tyre të përjetshëm. Duke lënë mënjanë shtyllën e goditur në fillim të takimit nga qendërmbrojtësi i Manchester City-t, John Stones, vendasit nuk bënë më asgjë tjetër, pasi miqtë bllokuan në mënyrë të shkëlqyer krahët e “Tre Luanëve”, duke dubluar mbulimin e futbollistëve anësorë të Anglisë.

57-vjecari Steve Clarke preferoi në qendër mesfushorin e Chelsea-t, Billy Gilmour, që ia shpërbleu besimin trajnerit të tij në mënyrën më të mirë të mundshme, duke u shpallur në fund edhe si lojtari më i mirë i ndeshjes. Si Kroacia ashtu edhe Skocia kanë nga vetëm 1 pikë, kështu që në mënyrë të kupteshme të dy ekipet do të luajnë vetëm për fitore. Skocia do të ketë favorin e faktorit fushë, pasi ndeshja me Kroacinë do të luhet në “Hampden Park”, në orën 21:00, pra në po të njëjtën orë si edhe dueli tjetër Angli – Republikë Çeke, megjithatë te vendasit do të mungojë pikërisht Billy Gilmour, pasi është infektuar nga virusi Covid – 19.

Kroacia mban për momentin vendin e 14-t në renditjen botërore, pra plot 30 pozicione më lart krahasuar me Skocinë, por gjithsesi janë skocezët që kanë fituar dy takimet e fundit mes tyre, 1-0 në Zagreb dhe 2-0 në Glasgow, ndërkaq kurioz është fakti që miqtë nuk kanë fituar asnjë nga 5 përballjet ndërmjet tyre në të gjithë kompeticionet.


Shtuar 22.06.2021 08:30