Një El Clasico që mund të vlejë titullin kampion të La Ligas. Të shtunën në Alfredo Di Stefano luhet një nga sfidat më të zjarrta të futbollit europian dhe jo vetëm, pikërisht dueli mes Realit të Madridit dhe Barcelonës që papritur ka marrë një rëndësi të jashtëzakonshme pasi gafat e njëpasnjëshme të Atleticos së Madridit i kanë dhënë mundësi blaugranave por edhe skuadrës së Zidane të afrohen ndjeshëm në renditje dhe në 9 javët e fundit të sezonit të jenë në garë të ashpër për titullin.
1 pikë është diferenca e Barcelonës me Atleticon e Madridit ndërkohë që 3 pikë është ajo mes Los Colchoneros dhe Los Blancos. Përpara këtij dueli ka folur një nga futbollistët me më shumë eksperiencë dhe që ka luajtur mbi 30 El Clasico në karrierë, pikërisht Karim Benzema. Francezi pas largimit të Ronaldos ka marrë rolin e liderit në sulmin e Realit dhe që Los Blancos kanë ecur me ritëm të kënaqshëm në 3 sezonet e fundit meritat shkojnë edhe për të.
Pavarsisht se është kohë pandemie dhe luhet pa tifozë për Benzema, El Clasico vazhdon të mbetet një nga sfidat më të ndiera të futbollit europian dhe atij Botëror. “Është ndeshja më e bukur në botë”, deklaroi 33-vjeçari francez në një intervistë për mediat spanjolle. Më pas Benzema shtoi se për Realin kjo sfidë është si një finale në garën për titull në La Liga, të cilën madrilenët duhet ta fitojnë duke zhvilluar futbollin e tyre më të mirë. Benzema thuri elozhe edhe për dy futbollistë të Barçës, portierin Ter Stegen dhe kapitenin Lionel Messi. “Barcelonës i pëlqen të luajë me topin dhe mbi të gjitha ata kanë një portier të shkëlqyer, që di të luajë edhe me këmbë. Messi? Ai bën gjithçka në fushë dhe duhet të kemi shumë kujdes me të, sepse e dimë që është shumë i rrezikshëm. Duhet të luajmë si ndeshjen e fazës së parë, për ta mposhtur Barçën”, theksoi në fund të fjalës së tij Karim Benzema.