Sipas Sergio Agueros, Manchester City preferoi të investonte te Enzo Fernandez dhe për këtë arsye hoqi dorë nga një tentativë e minutës së fundit për të marrë Cody Gakpon nga Liverpooli.
Të lidhura
None found
Klubi anglez thuhet se e kishte konsideruar mundësinë e transferimit të sulmuesit holandez në ditët përmbyllëse të merkatos, por Liverpooli kërkonte rreth 85 milionë funte për kartonin e tij.
Megjithatë, Gakpo vijoi të qëndronte në “Anfield”, ndërsa Enzo Fernandez u transferua te Manchester City për shumën prej 125 milionë funtesh.
Aguero theksoi se një klub përfiton gjithmonë kur arrin të mbajë futbollistët e tij kryesorë, veçanërisht kur ata janë të kënaqur me trajnerin dhe detyrën që kanë në skuadër.
“Është gjithmonë gjë pozitive të ruash lojtarët e mirë. Ka raste kur një futbollist nuk ndihet mirë në pozicionin ku luan, me trajnerin ose në klub dhe për këtë arsye kërkon të largohet”.
Ish-sulmuesi beson se Liverpooli mori vendimin e duhur duke mos e shitur Gakpon, për sa kohë që lojtari ndihet mirë në ambientin e klubit.
“Nëse Gakpo është i kënaqur me trajnerin dhe e di se çfarë kërkohet prej tij, atëherë mbajtja e tij është shumë e rëndësishme. Liverpooli është një ekip jashtëzakonisht i vështirë për t’u mundur, sidomos në ‘Anfield’”.
Më pas, Aguero shpjegoi se si e interpretonte situatën në kampin e Cityt gjatë fundit të afatit kalimtar, duke lënë të kuptohej se kostoja e lartë e Fernandezit e detyroi klubin të zgjidhte vetëm njërin prej dy objektivave.
“Për klubin është pozitive të mbajë lojtarë si Gakpo. Besoj se City priti deri në çastet e fundit për Enzon. Vlera e tij ishte shumë e lartë, ndaj duhej të merrnin një vendim. Mendoj se zgjedhja ishte mes Enzos dhe Gakpos, dhe në fund ata vendosën për Enzon”.
