Drita eliminohet nga Conference League, Shkëndija e vetmja që pret biletën për turin e tretë

Drita nuk ia ka dalë të kalojë në turin tjetër të Conference League, pasi gjilanasit janë mposhtur 2-0 në “Fadil Vokrri” nga Antwerp.

Gjilanasit u ndëshkuan nga lojtari me prejardhje nga Kosova, Laurit Krasniqi që shënoi në minutën e 50-të.

Pas këtij goli të pësuar, Drita u mundua të  barazonte shifrat, ndërsa një mundësi të artë e pati në këmbët e tij, Blend Baftiu që nuk ia doli të realizonte.

Klubi gjilanas u mundua deri në fund që të shënonte golin e barazimit dhe ta çonte ndeshjen në shtesa, por Antwerp nuk lejoi befasi, dhe realizoi edhe të dytin përmes Michel-Ange Balikwisha në minutat e fundit të shtesës, duke bërë që Drita t’i thotë mirupafshim Conference League.

Shkëndija nuk zhgënjen aspak. Kuqezinjtë arritën të fitonin 3-1 ndaj letonezve të Valmieras duke bërë të mundur kështu edhe kalimin në turin e tretë të Conference League.

Kuqezinjtë vinin pas fitores 1-2 në transfertë, megjithatë nuk u mjaftuan vetëm me administrimin, pasi morën një tjetër sukses ndaj Valmierës, duke treguar se janë dukshëm më superiorë se kundërshtari.

Bejtullai, Doriev dhe Ramadani shënuan për kuqezinjtë, që vijojnë të konfirmohen një kockë e fortë në Europë, teksa bashkë me Shkupin e Ballkanin, do të jenë skuadrat e vetme shqiptare që do të vijojnë aventurën europiane.


Shtuar 28.07.2022 22:15