Cikalleshi: Ka nevojë për ndryshime të mëdha, nëse duhet të iki unë, marr përgjegjësitë e mija

Sokol Cikalleshi u shfaq mjaft i mërzitur para mikrofonit të DigitAlb dhe pranoi se ka ardhur momenti për një analizë të thellë, ku të bëhen ndryshime të shumta, për të kthyer faqe njëherë e mirë.

Çfarë ndodh në minutat e fundit dhe pse kemi kaq pakujdesi?

Përgjegjësia është e të gjithëve, pavarësisht se kush luan dhe ne vazhdojmë të jemi në moment jo. Ky goli i sotëm ishte shkatërrimtar, edhe për vetë faktin se ishim në gjendje të vështirë. Gjërat duhet të ndryshojnë, për t’u rikthyer aty ku duhet. Nëse nuk duhet të jetë Cikalleshi, jam gati të marr përgjegjësitë personale dhe të largohem. Duhet një analizë e thellë për të gjetur se çfarë dhe kush duhet të ndryshojë. Unë u kërkoj ndjesë të madhe atyre tifozëve që ishin në stadium për të na përkrahur.

Pse nuk arritëm ta mbyllim ndeshjen?

Gjërat erdhën mirë, por më pas nuk e mbyllëm ndeshjen dhe kjo na rëndon edhe më shumë. Sot donim një fitore morali, por nuk na eci. Kombëtarja është përgjegjësi dhe duhet të gjithë të tregohemi më të përgjegjshëm.

Duket sikur mungon fryma e grupit dhe nuk sakrifikohet shumë?

Kur mungojnë rezultatet, mungon edhe harmonia në grup. Edhe kur ndodhim gabimet, ka gjithmonë diçka p[ër të korrigjuar dhe nuk mund të kesh grup të fortë. Kjo ndikon drejtpërdrejtë në rezultat. Ne jemi kombëtare e vogël dhe pa harmoninë në grup e kemi të vështirë.

Kush është kapiteni i Shqipërisë?

Kjo dihet. I pari është Berisha, i dyti Hysaj dhe i treti ka qenë Abrashi, por unë kisha më shumë ndeshje, ndaj më takoi mua. Nuk kemi pasur probleme kapitenësh, por duke filluar nga vetja ime, duhet të marrim përgjegjësinë për atë që japim në fushë.

Kush është lidershipi i Kombëtares?

Kapiteni është ai që bën liderin. Në mungesë të Berishës, ka qenë Hysaj, që ka gabuar ndaj Izraelit dhe jemi ndëshkuar. Unë nuk kam shënuar, mesfushori nuk ka mbyllur zonën, ai ka gabuar pasimin. Jemi të gjithë në situatë jo. Unë mundohem të bëj më të mirën, me apo pa shiritin.


Shtuar 27.09.2022 23:14