Nga sheshi para Kryeministrisë, folësit kanë kritikuar ashpër nismën e qeverisë për t’ia kaluar aseteve strategjike të vendit një rrethi të kufizuar biznesmenësh, duke e konsideruar këtë veprim një rrezik serioz për sigurinë e shtetit.
Gjatë tubimit të zgjatur, një prej qytetarëve të pranishëm ngriti zërin kundër të ashtuquajturave plane zhvillimore, duke përmendur konkretisht çështjen e Portit të Durrësit dhe synimet për të dorëzuar ishullin e Sazanit dhe Zvërnecin.
Të lidhura
None found
Ai u përqendrua te mënyra sesi kryeministri fsheh transferimin e pronave publike pas emrave të investitorëve të huaj, kur në fakt përfitues janë sipërmarrës me lidhje të forta në politikë.
“Po shohim me sytë tanë dëmin që kryeministri synon t’u sjellë pasurive kombëtare. Duhet ta keni të qartë se ai ka konceptuar një sërë projektesh që të gjitha kanë falimentuar, siç është shkatërrimi i portit për llogari të oligarkëve! Nuk bëhet fjalë për Alabbarin, por për oligarkët që takohen me Edi Ramën. Synon të dorëzojë Zvërnecin dhe Sazanin — dy pika me rëndësi strategjike në territor, të cilat duhen ruajtur për mbrojtjen kombëtare, jo të dhurohen! Ekzekutivi gënjen duke hedhur në tavolinë disa skema gjoja për zhvillim,” u shpreh protestuesi.
Në mbyllje të ndërhyrjes së tij, aktivisti dha një mesazh të prerë për t’u shkëputur nga elitat e vjetra politike dhe për të ngritur një lëvizje të mirëfilltë qytetare që do të vërë qeverinë para përgjegjësisë.
“Le të arrijmë bashkimin më të gjerë të shqiptarëve, duke lënë jashtë krerët kryesorë të opozitës, ndërsa gjithë populli tjetër duhet të jetë në sheshin e protestës! Duhet një organizim. Të organizohemi që ta vëmë përpara drejtësisë qeverinë Rama, larg qeveria Rama!” përfundoi ai.
