Një postim, i cili është shpërndarë mijëra herë në Instagram, TikTok dhe platforma të tjera, pretendon se humbja e Argjentinës nuk ishte rastësi, por pjesë e një marrëveshjeje të fshehtë mes FIFA-s dhe Federatës Argjentinase të Futbollit.
Sipas këtij pretendimi, gjithçka lidhet me pankartën “Las Malvinas son Argentinas”, të shfaqur nga disa lojtarë argjentinas pas fitores ndaj Anglisë në gjysmëfinale. Mesazhi ka karakter politik, pasi lidhet me mosmarrëveshjen mes Argjentinës dhe Mbretërisë së Bashkuar për Ishujt Falkland (Malvinas).
Të lidhura
None found
Autori i postimit pretendon se FIFA, për shkak të rregullave që ndalojnë mesazhet politike gjatë turneve zyrtare, ishte përballë mundësisë për të ndëshkuar Argjentinën. Megjithatë, sipas teorisë konspirative, për shkak se bëhej fjalë për finalen dhe interesave të mëdha ekonomike, u arrit një marrëveshje që Spanja të fitonte trofeun, ndërsa Argjentina të shmangte një përjashtim nga kompeticionet e ardhshme.
Në të njëjtin postim pretendohet gjithashtu se përplasjet mes futbollistëve në dhomat e zhveshjes dhe mungesa e disa lojtarëve ishin pasojë e këtij vendimi.
Megjithatë, deri në këtë moment nuk ka asnjë provë apo deklaratë zyrtare që mbështet këto pretendime.
Ajo që dihet është se pankarta e shfaqur nga futbollistët argjentinas ka shkaktuar polemika për shkak të mesazhit politik, ndërsa në rrjetet sociale vazhdojnë debatet mes tifozëve mbi ngjarjet që pasuan finalen.
Pavarësisht mungesës së provave, teoria është bërë virale, duke mbledhur miliona shikime dhe mijëra komente nga tifozë që ndajnë mendime të ndryshme. Disa e konsiderojnë një shpjegim të mundshëm për humbjen e Argjentinës, ndërsa të tjerë e cilësojnë thjesht si një teori konspirative pa bazë. /albeu.com


