Botërori çdo dy vjet? Zbulohet kur do merret vendimi

FIFA ka ftuar organet drejtuese të futbollit në një samit në fund të shtatorit për të diskutuar kalendarin ndërkombëtar, përfshirë propozimin e Arsene Wenger për zhvillimin e Kupës së Botës çdo dy vjet.

Në këtë samit, që do të zhvillohet më 30 shtator, janë ftuar Federatat kryesore. FIFA, që nga ditët e para të këtij muaji ka qenë duke u konsultuar me palët e interesuara, duke përfshirë të gjitha konfederatat, Shoqatën Evropiane të Klubeve, Forumin e Ligave Botërore dhe sindikatën botërore të lojtarëve FIFPRO.

Tema kryesore e diskutimit do të jetë propozimi për të reformuar kalendarin ndërkombëtar, duke organizuar një Kupë Bote çdo dy vjet, një plan i udhëhequr nga ish-trajneri i Arsenalit, Wenger, i cili tani është kreu i zhvillimit global të FIFA -s.

“Ekziston një konsensus i gjerë brenda lojës që kalendari ndërkombëtar i ndeshjeve duhet të reformohet dhe përmirësohet,” ka deklaruar më herët francezi.

Trajnerët evropianë janë shprehur kundër Kupës së Botës çdo dy vjet. Presidenti i Shoqatës së Trajnerëve Evropianë (AEFCA), Walter Gagg, po pozicionohet kundër propozimit të FIFA-s për të mbajtur një Kupë Bote çdo dy vjet. Bordi i Drejtorëve dhe Komiteti Ekzekutiv i AEFCA-s dhe 47 shoqatat kombëtare të trajnerëve, që përfaqësojnë rreth 200 000 trajnerë në të gjithë Evropën, nuk ndajnë mendimin e zhvillimit të Botërorit çdo dy vjet.

Trajnerët janë shumë të qartë: “Kanë kaluar vetëm tre muaj që kur përjetuam dramën e Christian Eriksenit, ishte tmerr, dhe të gjithë ranë dakord se shëndeti i lojtarëve ishte përparësi në futboll.”

Propozimi i FIFA -s përfshin një rritje të konsiderueshme të ngarkesës së të gjitha palëve të përfshira, në një kalendar tashmë të ngjeshur në të cilin nuk ka hapësira. Ata mendojnë se propozimi ka një sfond thjesht komercial. AEFCA mbështet refuzimin e UEFA-s.


Shtuar 22.09.2021 15:22