Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare të industrisë së mbrojtjes “EU 4 Defence Readiness – Road Map to Future”, e zhvilluar në Zarë të Kroacisë. Gjatë aktivitetit, ai foli për çështjet e sigurisë në Evropë dhe ndryshimet e fundit gjeopolitike.
Të lidhura
None found
Në kuadër të konferencës, Maqedonci zhvilloi një takim me zëvendëskryeministrin dhe ministrin kroat të Mbrojtjes, Ivan Anušić. Dy zyrtarët diskutuan mundësitë për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe në sektorin e mbrojtjes.
Sipas ministrit Maqedonci, bisedimet përfshinë edhe forcimin e bashkëpunimit trepalësh mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë në industrinë e mbrojtjes, zhvillimin e trajnimeve, shkëmbimin e informacionit dhe reagimin ndaj kërcënimeve hibride.
Gjatë panelit të konferencës, Maqedonci shprehu shqetësimin e tij për atë që e përshkroi si “qasje hegjemoniste të Serbisë ndaj fqinjëve të saj”. Ai gjithashtu paraqiti hapat që Kosova ka ndërmarrë për ngritjen e sistemit të saj të mbrojtjes.
