“Bernabeu” modern dhe 2 super yje, Florentino Perez president deri në vitin 2025

Florentino Perez bëhet gati për një tjetër mandat katërvjeçar në krye të klubit më madh në botë, Real Madridit. 74-vjeçari, mbrëmjen e së hënës, u regjistrua zyrtarisht kandidat për president për zgjedhjet e ardhshme dhe në fakt është i vetmi në garë, që do të thotë se praktikisht do ta drejtojë klubin mbretëror edhe për periudhën 2021-2025.

Perez ka qenë president i Realit në dy periudha të ndryshme: mes viteve 2000 dhe 2006 si dhe nga 2009-ta deri në sot. Mandati i ri do të nisë në një moment të shkëlqyeshëm për ekipin e futbollit dhe të basketbollit.

Punimet në stadiumin “Bernabeu” vazhdojnë me ritëm të lartë, falë edhe mospranisë së tifozëve në stadiume për shkak të pandemisë. Ky realitet e ka përshpejtuar procesin, duke mos qenë e nevojshme ndërprerja e punimeve në ditët e ndeshjeve, pasi skuadra e drejtuar nga Zidane i zhvillon takimet në Valdebebas. Bernabeu i ri, një projekt për të cilin Perez mund të krenohet, do të përfundojë në fund të vitit 2022 ose në fillim të vitit 2023. Të ardhurat e shtuara vjetorë në impiantin mitik të Madridit pritet të shkojnë më shumë se 200 milionë euro. Çatia e stadiumit dhe fusha e lëvizshme, që do të lejojnë organizimin e ngjarjeve të mëdha të llojeve të ndryshme, janë risitë e mëdha të “Santiago Bernabéut” të ri dhe futuristik.

Perez ka vendosur të nënshkruajë më dy “yje” të futbollit botëror, Mbappé dhe Haaland. I pari vazhdon të refuzojë rinovimin e kontratës me PSG-në, ndërsa çështja “Haaland” është më komplekse. Borussia kërkon një shifër të papërballueshme për momentin, plot 180 milionë euro, ndaj dhe mbërritja e talentit norvegjez në “Bernabeu” mund të shtyhet për vititn 2022.

Kriza ekonomike për shkak të pandemisë ka ulur buxhetin vjetor me gati një të tretën dhe ka detyruar drejtuesit të ulin kostot për të shmangur humbjet serioze. Këtë vit llogaritet që bilanci të jetë negativ me rreth 70 milionë euro. Për këtë arsye, Florentino Perez i kërkoi stafit që të pranojë reduktimin e pagës vjetore me 10%, siç ndodhi majin e kaluar kur mbyllja krijoi humbje të tmerrshme në arkat e klubit. Klubi beson se lojtarët do ta pranojnë këtë ulje.

Si rezultat i këtij problemi, Sergio Ramos dhe Lucas Vázquez kanë një të ardhme të pasigurt në Madrid, tani që kontratat e tyre po përfundojnë. Klubi propozoi që të rinovonin me një pagë 10% më të ulët. Të dy e refuzuan propozim të parë, ndërsa Luka Modric ka rënë dakord, më shpresën se do ta këtë një rinovim të kontratës së tij edhe pas vitit 2022, sigurisht nëse do të ruajë këtë nivel të lartë që po shfaq në fushë.

Sa i përket trajnerit Zidane, presidenti Perez dhe drejtori i përgjithshëm José éngel Sánchez, kanë përsëritur besimin e tyre për francezin, “magjistarin” i tre titujve Champions të njëpasnjëshëm e që tani është hedhur në sulm për titullin e tretë kampion në La Liga, trofe që e ka fituar edhe si lojtar dhe si ndihmës i Ancelottit.


Shtuar 13.04.2021 09:31