Mikel Arteta e ka zhvendosur fokusin te largimet nga skuadra, ndërsa mediat raportojnë se Arsenali është i hapur të marrë në konsideratë oferta për të paktën pesë futbollistë gjatë kësaj vere.
Të lidhura
None found
Katër përforcime janë vënë këtë verë nën urdhrat e trajnerit të “Topçinjve”. Mes tyre është kapiteni i Newcastle, Bruno Guimaraes, për të cilin u paguan rreth 86 milionë euro.
Christos Tzolis mbërriti nga Club Brugge për afro 40 milionë euro, kurse Illan Meslier u afrua si alternativë në portë pasi i përfundoi kontrata me Leeds.
Pas huazimit të suksesshëm gjatë sezonit të kaluar, Arsenali kompletoi edhe transferimin përfundimtar të Piero Hincapie nga Bayer Leverkusen. Marrëveshja kap vlerën e rreth 39 milionë eurove, pa përfshirë bonuset.
Pavarësisht këtyre shpenzimeve, Arteta synon ta përmirësojë më tej ekipin. Prioritet mbetet sulmi, pasi klubi nuk arriti të siguronte yllin e Real Madridit, Vinicius Junior, ndërsa në planet e merkatos mund të përfshihet edhe një qendërmbrojtës.
BBC Sport bën të ditur se Gabriel Martinelli mund të largohet nëse Arsenali merr një ofertë të kënaqshme për të, pas kthimit të lojtarit nga angazhimet me Brazilin në Kupën e Botës.
Mundësinë për të gjetur një klub tjetër e ka edhe bashkëkombësi i tij, Gabriel Jesus. Në të njëjtën pozitë ndodhet gjithashtu mesfushori portugez Fabio Vieira.
Vieira nuk është aktivizuar me Arsenalin që prej vitit 2024, ndërsa gjatë kësaj periudhe ka luajtur në formë huazimi te Porto dhe Hamburgu.
Mes emrave që mund t’i japin lamtumirën klubit londinez figuron edhe 19-vjeçari Ethan Nwaneri, i cili është kthyer pas huazimit te Marseille.
Një tjetër largim i mundshëm është ai i Reiss Nelson, me West Ham që shfaqet si destinacion i mundshëm. Ky klub sapo ka rënë nga Liga Premier.
Sipas The Athletic, Arsenali ka nisur bisedimet me “Çekanët”, pasi trajneri Nuno Espirito Santo dëshiron të shtojë alternativa në repartin ofensiv.
