Ancelotti me dhimbje koke, Real Madrid mbetet pa portier, dëmtohet edhe Courtois

Real Madrid ka marrë një goditje të rëndë mëngjesin e sotëm. Thibaut Courtois, siç ka bërë të ditur vetë klubi në raportin mjekësor, do të mungojë disa muaj në fushat e blerta (llogaritë mjekësore flasin për 8-9 muaj në rastin më optimist të rikuperimit), pasi gjatë seancës së sotme këputi ligamentin e kryqëzuar të përparmë në gjurin e majtë.

Portieri do t’i nënshtrohet një operacioni në ditët në vijim dhe do të qëndrojë jashtë për të paktën 9 muaj. Real Madrid aktualisht ka vetëm një portier tjetër në ekipin e parë, ukrainasin Lunin, i cili ka refuzuar të largohet nga klubi këtë verë, një vendim që tani mund të duket thelbësor.

Më poshtë tij janë vetëm portierët e Castillas, filialit të Real Madridit, Lucas Cañizares dhe Mario de Luis (i cili aktualisht është ende duke u rikuperuar nga dëmtimi i pësuar në fund të sezonit të kaluar).

Asnjëri prej tyre nuk ka debutuar me ekipin e parë. Klubi do të duhet të vendosë tani nëse, duke pasur parasysh fatkeqësinë e belgut, do të hyjë në merkato për të përforcuar portën, duke qenë se rikthimi i Courtois nuk do të ndodhë të paktën deri në maj 2024.

Nënshkrimi me një portier të ri duket zgjidhja më logjike, aq më tepër po të kemi parasysh që Lunin nuk ka ndonjë eksperiencë dhe madje kësaj vere ishte në treg. Ndër opsionet e merkatos që ka Real Madridi veçohet David de Gea, pa skuadër që prej përfundimit të marrëdhënies me Manchester United, dhe David Soria, portieri i Getafes.

I pari ishte tashmë në orbitën e “Los Blancos” përpara mbërritjes së Courtois, por historia e njohur e faksit që mbërriti me vonesë e pengoi atë të zbarkonte në “Bernabéu”. I dyti ishte tashmë objektivi i skuadrës së bardhë në fillim të kësaj vere, por u bënë pengesë pretendimet e larta të klubit azulón, plus vullneti i Lunin për të vazhduar në Madrid.


Shtuar 10.08.2023 17:21