Vetëm pak ditë përpara fillimit të votimit për parlamentin e ri, një grup anonim hakerësh deklaron se ka depërtuar në sisteme kompjuterike të lidhura me infrastrukturën zgjedhore të Rusisë.
Të lidhura
None found
Grupi, i njohur si CikLeak, pretendon se ka fituar qasje në sistemet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Rusisë dhe të kompanive që kanë marrë pjesë në zhvillimin e platformës shtetërore Vybory, e cila shërben për administrimin e zgjedhjeve. Sipas hakerëve, mes materialeve të vjedhura janë dokumente të brendshme, konfigurime serverësh, fjalëkalime dhe komunikime ndërmjet punonjësve të Komisionit dhe kompanive kontraktuese, përfshirë edhe gjigantin rus të telekomunikacionit Rostelecom.
Materialet e siguruara iu dorëzuan “Important Stories”, një media e pavarur investigative ruse, e cila njoftoi se kishte verifikuar dokumentet. Megjithatë, mbetet e paqartë shkalla e depërtimit në infrastrukturën zgjedhore dhe nëse hakerët kanë arritur te sistemet që përdoren drejtpërdrejt për votimin ose numërimin e votave.
CikLeak pohon se nuk synon të bllokojë procesin e votimit apo të pengojë veprimtarinë e komisioneve zgjedhore. Grupi thotë se kërkon të nxjerrë në pah funksionimin e brendshëm të sistemit zgjedhor rus, si dhe atë që e cilëson si mundësi për manipulimin e rezultateve.
