Mbrëmjen e djeshme, zona ndërmjet fshatrave Andon Poçi dhe Hundëkuq, në Gjirokastër, u përfshi nga një zjarr i fuqishëm, ndërsa ekziston rreziku që flakët të avancojnë drejt vendbanimeve.
Dy vatra mbeten aktive në një perimetër të përgjithshëm prej rreth 4 kilometrash. Ndërhyrja e zjarrfikësve dhe depërtimi i mjeteve pranë flakëve, po pengohen ndjeshëm nga terreni i vështirë dhe bimësia e dendur.
Të lidhura
None found
Autoritetet bëjnë të ditur se, rreth një javë më parë, në të njëjtën zonë u konstatuan edhe tre vatra zjarri, çka ka shtuar shqetësimin për përsëritjen e situatës.
Në operacion është angazhuar i gjithë shërbimi zjarrfikës i Drejtorisë së MZSH-së Gjirokastër. Forcat në terren po përpiqen të shuajnë flakët, ndërkohë që po mbajnë situatën nën vëzhgim.
Për të përforcuar ndërhyrjen, pritet mbërritja e ekipeve të tjera zjarrfikëse, zjarrfikësve vullnetarë dhe trupave të Forcave të Armatosura, të cilat do t’u bashkohen përpjekjeve për kontrollimin e zjarrit.
Gjendja mbetet e rënduar dhe ndryshon vazhdimisht, ndërsa ekipet po punojnë për të ndalur zgjerimin e flakëve dhe për të mbrojtur zonat e banuara pranë vatrave aktive.
