“Agjenti” Benzema: Një ditë dua që Mbappe të luajë te Reali i Madridit

Karim Benzema duket se ka një mision konkret në rikthimin e tij me kombëtaren e Francës. Sulmuesi i Realit të Madridit po punon për të bindur Kilië Mbapenë që të transferohet në kryeqytetin spanjoll.

Këtë herë, ai ka dhënë një intervistë për AFP-në dhe thotë se ylli i PSG-së do të përshtatej shumë mirë në skuadrën e tij të re dhe do të ishte një lëvizje gjeniale për të gjithë. “Do ta shihja shumë mirë Mbapenë te Reali i Madridit.

Do të ishte një lëvizje ideale. Nëse ai vendos që të lërë PSG-në, dëshiron që të vijë menjëherë në skuadrën time. Është lojtar i shpejtë, eficient dhe di të bëjë gjithçka në fushën e lojës. Të gjithë futbollistët e mirë ëndërrojnë që të transferohen një ditë në Madrid dhe unë sigurisht që do ta doja”, ka thënë Benzema. Për herë të parë një element i madrilenëve flet kaq hapur për transferimin e mundshëm të Mbapesë te Reali. Prej kohësh palët janë në bisedime të shumta, por PSG-ja është një klient i vështirë dhe nuk mund të bindet lehtësisht për ta lënë të lirë sulmuesin.

Kontrata e tij përfundon sezonin e ardhshëm dhe këta të fundit duan që t’ia rinovojnë atë dhe ta bëjnë të rëndësishëm. Por, Benzema po punon dhe është shndërruar në një ambasador për Realin e Madridit në grumbullimin e Francës. Kurrë nuk është ndalur duke i thurur elozhe. Të mërkurën që lamë pas, ata luajtën për herë të parë me njëritjetrin dhe bashkëpunuan shpesh në fushën e lojës duke pasuar në çdo moment.

Al Khelaifi bën presion se nuk do ta lërë të lirë Mbapenë dhe se ai është një lojtar i PSG-së, por në Madrid janë të sigurt që transferimi do të ndodhë herët a vonë. Perez nuk ka ndërmend që të futet në “luftë” me klubin francez, por gjithashtu kërkon t’i bëjë një dhuratë trajnerit të ri Karlo Ançeloti. Të gjitha rrugët të çojnë te Mbape. Benzema duket se po e bën mirë punën e tij.


Shtuar 6.06.2021 10:08