Xhixho: 80% e fëmijëve në Tiranë, nuk gjejnë dot një vend në çerdhe e kopshte. Ku janë 66.1 mln euro?

Përmes një deklarata për shtyp, zv. presidentja e Partisë së Lirisë Erisa xhixha tha se 80% e fëmijëve në moshë çerdheje dhe kopshti në Bashkinë e Tiranës, nuk gjejnë dot një vend në strukturat publike.

Xhixho: Përtej propagandës së dalë boje të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, vlen të themi disa vërteta për sistemin arsimor në Tiranë. Në fillim të këtij viti shkollor, Bashkia e Tiranës nuk ka siguruar infrastrukturën për pjesën dërrmuese të fëmijëve të arsimit parashkollor. 80% e fëmijëve në moshë çerdheje dhe kopshti në Bashkinë e Tiranës, nuk gjejnë dot një vend në strukturat publike. Prindërit janë të detyruar t’u drejtohen kopshteve private.

Sistemi publik mund të përballojë vetëm 20% të nevojave potenciale ose, e thënë ndryshe, nëse të gjithë fëmijët e kësaj moshe do të kërkonin strehim në njësitë publike, vetëm 1 në 5 vogëlushë do të pranohej. Jemi në këtë gjendje plot 8 vjet pasi Bashkia e Tiranës nisi aplikimin e taksës së përkohshme të ndikimit në infrastrukturë, e cila qëllim parësor kishte ndërtimin e objekteve të reja arsimore, dhe jo thjeshtë rikonstruksion dhe propagadohet, pasi sot Tirana ka nevojë emergjente për shkolla, kopshte e çerdhe të reja.

Në 8 vite, bashkia ka arkëtuar 66.1 milion euro nga kjo taksë, por ku kanë shkuar këto para?  Ndërkohe qytetarët në Astir, te kodra e liqenit apo te Fresku paguajnë çdo vit taksën arsimore, sikundër dhe bizneset, po shkolla në këto zona nuk ka. Me paratë e kësaj takse është abuzuar dhe abuzohet çdo ditë.

Në vend që të shkojnë për infrastrukturën arsimore, për të garantuar sistemin e ngrohjes në dimër, apo laboratorë dhe mjete mësimore bashkëkohore, me çfarë po ndodh ne Bashkine e Tiranës , për drejtuesit e saj është bërë normë që paratë të përfundojnë në xhepat e drejtorëve.

Rasti më skandaloz i këtij abuzimi është shkolla Edit Durham, ose shkolla « 11 janari » për brezin tim që ka dal nga ajo shkollë me një histori dhe traditë shumë të rëndësishme për qytetin, e cila do të shembet për t’u rindërtuar me një kosto prej 494 milionë lekësh.

Paradoksi është se shkolla e re, nuk do të ketë kapacitet më të madh, por do të presë më pak nxënës sesa pret aktualisht, duke mos zgjidhur hallin e shumë familjeve të mësimit me dy turne. Nga 1324 nxënës që ka sot, kjo shkollë do të tkurret në 1188 nxënës, pra 136 nxënës do të detyrohen të gjejnë një shkollë tjetër, pas ndërtimit të shkollës së re.

Nuk ka hapësira për shkolla, për çerdhe, për kopshte, biles tani do paguajmë qera marramendëse për ambientet e kopshteve, sepse ky qytet nuk është projektuar për të pasur prioritet fëmijët, afërsinë e shkollave me shtëpinë, transportin publik funksional , por këtu mendohet çdo ditë si vidhet e grabitet, me skema si ajo e inceneratorëve apo drejtorëve 5 D.

Si të kthehet Tirana në lavatriçe të pastrimit të parave, ku 55 mijë apartamente janë bosh, ndërkohë që një çifti të ri i duhen 60 vjet që të blejë një apartament në periferi të Tiranës.  Kjo është Tirana që nuk mendon për të krijuar mundësi për të gjithë por vetëm për një grusht njerëzish, klientë të Erjon Veliajt.

 Nga grupi i strukturuar kriminal që drejton sot Bashkinë e Tiranës, nuk mund të presim që të kenë prioritet arsimin, pasi prioritet për ta është grabitja e prones publike për ta vënë shërbim të klientëve ,ndërtimi të kullave dhe ndëertimi i një qyteteti të pajetueshëm sidomos për fëmijët. Vetëm në korrik nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit të Shqipërisë e drejtuar nga Edi Rama, u dhanë 11 leje për kulla, po 0 ndërtime të reja për shkolla, kopshe e çerdhe.

Këto janë disa prej fakteve që dëshmojnë se për Bashkinë e Hajdutëve të Tiranës, rëndësi ka vetëm çfarë fitojnë krerët e saj, e jo shërbimi ndaj qytetarëve. Përballë kësaj gjendje  duhet që qytetarët e Tiranës të ngrihen, e ti dalin zot vetes së tyre , familjes dhe qytetit të tyre.


Shtuar 22.08.2024 14:17