Vrojtimi/ 24% e familjeve me borxh, por aftësia paguese në rritje! Banka e Shqipërisë: Pritje pozitive edhe për këtë vit

Rritja e shpejtë e çmimeve, që kulmoi në vitin 2022, vijoi në 2023-shin, dhe që ende është prezente, ka ndikuar direkt në xhepin e qytetarëve. Nga një anketim me 1200 familje, (ku janë përgjigjur 1056 prej tyre), ka rezultuar se 24% e familjeve të pyetura kishin një borxh për të shlyer.

Megjithatë, në analizën e publikuar nga Banka e Shqipërisë thuhet se niveli i huamarrjes së familjeve dhe aftësia paguese e tyre paraqiten të qëndrueshme dhe pa ndryshime të rëndësishme nga periudha e mëparshme.

Rreth 83% e familjeve deklarojnë se pagesa e huasë zë ‘më pak se 30% të ardhurave mujore që ata kanë, dhe ky tregues thotë Banka e Shqipërisë është përmirësuar me 10% krahasuar me vitin 2022. Nga ana tjetër, pesha e familjeve ku ‘pagesa e huasë’ tejkalon 30% të ardhurave’ është 17%.

Ndërkohë rreth 55% e familjeve huamarrëse kanë deklaruar se aftësia e tyre paguese ‘nuk ka ndryshuar’ gjatë gjashtëmujorit të dytë të 2023-shit, kurse 45% e tyre thonë se situata është përkeqësuar. Por këto tregues janë në përmirësim në raport me vitin 2022, thuhet në vrojtim.

“Prirje të ngjashme paraqet edhe indeksi i pritjeve mbi aftësinë paguese për gjysmën e parë të vitit 2024, i cili ndonëse me vlerë negative, sinjalizon pritje më optimiste të familjeve krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me një vit më parë”, thotë Banka e Shqipërisë.

Ndërsa për këtë vit, familjet presin një ngadalësim të kërkesës së tyre për kredi pasi 57% e të përgjigjurve kanë deklaruar se ‘nuk presin të marrin hua të re në 6 muajt e ardhshëm.


Shtuar 3.05.2024 18:38