Vorë/ Vinte baste online përmes telefonit, arrestohet 43-vjeçari

Policia ka vënë në në pranga ditën e sotme një 43-vjeçar, pasi u kap në flagrancë duke vënë bastë online.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në një lokal në Vorë, u konstatua se në celularin e tij, shërbimet e Policisë gjetën faqe dhe linqe që shërbenin për vënien e basteve sportive.

Më tej policia njofton se janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, aparati celular që shërbente për këtë veprimtari të paligjshme.

Njoftimi i plotë:

Vorë/ Ushtronte veprimtarinë e paligjshme të vënies së basteve sportive, nëpërmjet celularit, vihet në pranga 43-vjeçari. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale, aparati celular që shërbente për këtë veprimtari të paligjshme.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, kanë intensifikuar kontrollet dhe kanë goditur një rast të kësaj veprimtarie.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në një lokal në Vorë, u konstatua shtetasi M. M., 43 vjeç, banues në Vorë, në celularin e të cilit, shërbimet e Policisë gjetën faqe dhe linqe që shërbenin për vënien e basteve sportive. Aparati celular që shërbente për këtë veprimtari u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i tij dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.


Shtuar 2.04.2024 16:42