Ndërsa turneu ka hyrë në fazën me eliminim direkt, disa prej figurave më të mëdha të futbollit botëror mund të jenë duke përjetuar paraqitjen e tyre të fundit në Kupën e Botës.
Të lidhura
None found
Më poshtë janë 10 lojtarë që mund t’i japin fund rrugëtimit të tyre në skenën më të rëndësishme të futbollit ndërkombëtar.
1. Lionel Messi (Argjentinë) – Arritja më e mirë: Kampion (2022)
Vendimi i Messit për të mos u larguar nga kombëtarja pas triumfit në vitin 2022 është një tjetër dëshmi e madhështisë së tij. Edhe në moshën 39-vjeçare, ai vijon të vendosë standarde, duke u kthyer në golashënuesin më të mirë në historinë e Kupës së Botës me 19 gola, ndërsa ka edhe tetë asistime.
Ky është Botërori i gjashtë për të, ndërsa sfida e ardhshme do të jetë ndeshja e tij e 30-të në këtë turne. Fitues i dyfishtë i “Topit të Artë” të kompeticionit, në 2014 dhe 2022, Messi mund ta mbyllë pikërisht këtu një karrierë të jashtëzakonshme në Botëror.
2. Cristiano Ronaldo (Portugali) – Arritja më e mirë: Gjysmëfinale (2006)
Për Ronaldon, Kupa e Botës është ende trofeu i vetëm i madh që mungon në koleksion. Me 231 ndeshje dhe 145 gola me Portugalinë, ai mban rekorde absolute në futbollin ndërkombëtar.
Në edicionin e gjashtë të tij në Botëror, 41-vjeçari është bërë lojtari i parë që ka realizuar gol në gjashtë turne të Kupës së Botës. Kjo mund të jetë edhe mundësia e tij e fundit për të fituar trofeun më të madh.
3. Luka Modric (Kroaci) – Arritja më e mirë: Nënkampion (2018)
Modric vazhdon të shkëlqejë edhe në moshën 40-vjeçare, duke hyrë në histori si futbollisti më i vjetër që ka dhënë një asistim në Botëror.
Ai udhëhoqi Kroacinë drejt finales së paharrueshme të vitit 2018 dhe më pas drejt vendit të tretë në vitin 2022. Me mbi 200 ndeshje me përfaqësuesen dhe pesë Botërorë në karrierë, ai e ka vulosur tashmë trashëgiminë e tij.
4. Neymar (Brazil) – Arritja më e mirë: Gjysmëfinale (2014)
Për Neymarin, Botërori i vitit 2014 mbetet episodi më i ndjerë, pasi një dëmtim i rëndë i ndërpreu mundësinë për ta drejtuar Brazilin drejt titullit.
Pavarësisht problemeve të shumta fizike ndër vite, 34-vjeçari vazhdon të besojë se mund ta fitojë Kupën e Botës. Në këtë turne ai ka regjistruar tetë gola dhe katër asistime në 14 ndeshje.
5. Manuel Neuer (Gjermani) – Arritja më e mirë: Kampion (2014)
Ndonëse forma e tij ka pasur luhatje kohët e fundit, Neuer mbetet një prej portierëve më të mëdhenj që ka njohur futbolli.
Ai fitoi Botërorin dhe “Dorezës së Artë” në vitin 2014, ndërsa ky është Botërori i pestë në karrierën e tij. Edhe pse Gjermania u eliminua herët, kjo nuk ia zbeh statusin si një legjendë e këtij kompeticioni.
6. Kevin De Bruyne (Belgjikë) – Arritja më e mirë: Gjysmëfinale (2018)
De Bruyne ishte një prej figurave të “Gjeneratës së Artë” të Belgjikës, një skuadër që nuk arriti të fitonte asnjë trofe madhor.
Në Botërorin e katërt, mesfushori 35-vjeçar ka gjetur rrugën e rrjetës në tre edicione të ndryshme dhe numëron katër asistime në 16 ndeshje.
7. Virgil Van Dijk (Holandë) – Arritja më e mirë: Çerekfinale (2022)
Për shkak se Holanda nuk ishte pjesë e Botërorit të vitit 2018, Van Dijk ka luajtur më pak se sa pritej në këtë turne.
Kapiteni i Holandës e nisi kompeticionin me gol, por rrugëtimi i skuadrës së tij u ndal në 1/16 e finales. Në moshën 34-vjeçare, ky mund të ketë qenë Botërori i fundit për të.
8. Mohamed Salah (Egjipt) – Arritja më e mirë: 1/16 e finales (2026)
Salah luajti rol vendimtar në arritjen historike të Egjiptit, duke ndihmuar ekipin të marrë fitoren e parë në Botëror që prej vitit 1934.
34-vjeçari ka realizuar tre gola dhe ka dhënë dy asistime në vetëm pesë ndeshje në Kupën e Botës, teksa synon ta çojë Egjiptin edhe më tej.
9. Son Heung-min (Koreja e Jugut) – Arritja më e mirë: 1/8 e finales (2022)
Son mban statusin e golashënuesit më të mirë të Koresë së Jugut në historinë e Botërorit, me tre gola në 13 paraqitje.
Megjithatë, ky edicion nuk rezultoi sipas pritshmërive dhe, në moshën 33-vjeçare, mbetet për t’u parë nëse do të rikthehet sërish në skenën më të madhe të futbollit.
10. Sadio Mane (Senegal) – Arritja më e mirë: 1/8 e finales (2022)
Mane ka qenë lojtari kryesor i Senegalit në vitet e fundit dhe ka ndihmuar kombëtaren të sigurojë kualifikimin në tri Botërorë radhazi.
34-vjeçari realizoi golin e tij të parë në Kupën e Botës në vitin 2018, ndërsa një dëmtim e la jashtë edicionit 2022. Ky mund të jetë shansi i tij i fundit për të lënë gjurmë në këtë kompeticion.

