Shqipëria pezullon pjesërisht heqjen e vizave me Bjellorusinë për zyrtarët

Shqipëria ka kthyer vizat me Bjellorusinë për qytetarët bjellorusë të cilët kanë pasaporta diplomatike dhe të shërbimit. Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave ku nënvizohet pezullimi i pjesshëm i marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Bjellorusisë.

“Pezullimin e pjesshëm të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Bjellorusisë, për heqjen reciproke të kërkesave për vizë, miratuar me vendimin nr.152, datë 19.2.2020, të Këshillit të Ministrave”, thuhet në vendim.

Vendimi:

V E N D I M PËR PEZULLIMIN E PJESSHËM TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË BJELLORUSISË, PËR HEQJEN RECIPROKE TË KËRKESAVE PËR VIZË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 30, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Pezullimin e pjesshëm të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Bjellorusisë, për heqjen reciproke të kërkesave për vizë, miratuar me vendimin nr.152, datë 19.2.2020, të Këshillit të Ministrave.

Pezullimi i pjesshëm i marrëveshjes shtrihet vetëm për pasaportat diplomatike dhe të shërbimit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.


Shtuar 15.05.2024 17:52