Sapo kishte dalë nga qelia, 27-vjeçari përfundon në burg pas akuzave për ngacmim seksual

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Marash Gjoklajn, i cili akuzohet për ngacmim seksual dhe kanosje.

I riu sapo kishte dalë nga burgu ku ndodhej për të njëjtën vepër penale. Ai u arrestua në fundjave pas denoncimit të një 19-vjeçareje. E reja pretendon se Gjoklaj e ka ngacmuar seksualisht në ambientin e saj të punës.

Në të njëjtën ditë, Gjoklaj kishte ngacmuar dhe kanosur me thikë edhe një 20 vjeçare në “Rrugën e Dibrës”. Para togave të zeza 27-vjeçari deklaroi këtë të hënë se nuk i ka kryer veprimet për të cilat akuzohet.

Policia thotë se Gjoklaj ka qenë i dënuar më parë me 4 vite burg për “Mmarrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” dhe aktualisht gëzonte lirinë me kusht. Mbeten ende të paqarta argumentet e gjykatës se mbi çfarë baze i ka dhënë të riut lirinë pavarësisht dënimit për një vepër të rëndë penale. Kjo foto i përket momentit kur 27-vjeçari Marash Gjoklaj ka kryer veprën penale pranë një biznesi në Tiranë këtë fundjavë, për të cilën edhe përfundoi në pranga.


Shtuar 27.11.2023 12:35